Nga e shtuna hyn në fuqi rregulli për goma dimërore – denimi deri në 800 mijë dinarë!

Vetëm edhe një ditë ndan shoferët në Serbi nga fillimi i periudhës së detyrueshme për përdorimin e gomave dimërore – nga 1 nëntori i këtij viti deri më 1 prill të vitit të ardhshëm.

Edhe pse bora ende nuk shihet në horizont, Ligji për Sigurinë e Trafikut në Serbi (LST) është i qartë: çdo automjet gjatë kësaj periudhe duhet të ketë goma dimërore nëse në rrugë ka borë, akull ose ngrica.
Ata që e neglizhojnë këtë, rrezikojnë denime të majme, por edhe sigurinë personale, madje edhe nëse rruga është e thatë, por kushtet e tjera janë dimërore.

Çfarë thotë ligji dhe pse nuk duhet pritur bora

Sipas LST:
“Nëse në rrugë ka borë, akull ose ngrica, nga 1 nëntori deri më 1 prill, automjetet duhet të jenë të pajisura me goma dimërore në të gjitha rrotat me shenjën M+S (MS, M-S ose M&S), ndërsa thellësia e vijës nuk duhet të jetë më e vogël se katër milimetra.”

Ekspertët e trafikut paralajmërojnë që shoferët të mos presin borën për t’i ndërruar gomat, pasi temperatura e ajrit është faktor vendimtar:
Kur bie nën 7°C, gomat verore humbin aftësinë për ngjitje, duke zgjatur distancën e frenimit deri në dyfish krahasuar me gomat dimërore.

Edhe pse dimrat e fundit kanë qenë më të butë, dita e ftohtë mjafton që gomat dimërore të jenë më të sigurta – falë përbërjes më elastike dhe dizajnit që shmang rrëshqitjen dhe “akvaplaningun”.

Pa goma dimërore – pa dëmshpërblim nga sigurimi

Shoferët duhet të kenë kujdes edhe për pasojat ligjore:
nëse ndodh aksident trafiku gjatë periudhës 1 nëntor – 1 prill dhe automjeti nuk ka goma dimërore, kompanitë e sigurimit nuk e mbulojnë dëmin, madje as kur shoferi nuk është fajtor për aksidentin.

Denimet

Policia e trafikut zakonisht fillon kontrolle të shtuara që nga fillimi i nëntorit.
Nëse jeni pa goma dimërore në kushte të lagështa ose me ngrica, gjobat janë si më poshtë:

  • Për shoferin (person fizik): nga 10.000 deri në 20.000 dinarë

  • Për personin përgjegjës në kompani: nga 6.000 deri në 50.000 dinarë

  • Për personat juridikë (kompani, institucione): nga 60.000 deri në 800.000 dinarë


Edhe pse bora ende nuk ka rënë, nga e shtuna, 1 nëntori, rregulli hyn në fuqi.
Kujdesi për sigurinë dhe për portofolin fillon me një ndërrim të thjeshtë gomash.