Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka reaguar ndaj deklaratës së lëshuar nga Trupi Koordinues i Qeverisë së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, pas pretendimeve se ai nuk është paraqitur për nënshkrimin e kontratës lidhur me projektin e revistës “Nacionali”.
Sipas njoftimit të Trupit Koordinues, ushtruesi i detyrës së drejtorit të kësaj shërbese, Nenad Mitrović, ka dërguar katër herë ftesë për kryetarin e KKSh-së, me qëllim nënshkrimin e marrëveshjes për financimin e projektit në vlerë prej 800.000 dinarësh. Në komunikatë thuhet se pas mosparaqitjes së Rexhepit, fondet do të kthehen në buxhetin e Republikës së Serbisë.
Në reagimin e tij publik, kryetari Rexhepi e cilëson këtë qasje si tentim për nënshtrim institucional dhe thotë se KKSh nuk do të pranojë asnjë formë kushtëzimi apo presioni politik.
“Trupi Koordinues ka premtuar rritje të fondeve për KKSh, premtim i cili nuk është realizuar. Pasi nuk e mbajtën fjalën, për projektin e propozuar nga ne, erdhën në zyrat tona dhe kërkuan nënshkrimin e marrëveshjes me kusht që të hiqet flamuri kombëtar nga institucioni ynë. Kjo është e papranueshme,” – theksoi Rexhepi.
Ai shtoi se flamuri kombëtar nuk negociohet dhe nuk hiqet kurrë nga institucioni përfaqësues i shqiptarëve në Luginë të Preshevës, duke nënvizuar se bashkëpunimi me institucionet shtetërore mund të ekzistojë vetëm mbi bazën e respektit të ndërsjellë dhe jo të kushtëzimeve politike.
Rexhepi po ashtu kujtoi se KKSh-ja ka përgatitur të gjitha procedurat dhe ka propozuar mënyrën e nënshkrimit të marrëveshjes në mënyrë institucionale e transparente, siç është vepruar edhe në vitet e kaluara, “pa spektakël politik e mediatik”.
Deklaratën e plotë të Trupit Koordinues mund ta lexoni këtu