Futbollisti shqiptar Driton Camaj po shndërrohet në një nga emrat më të përfolur të momentit në Superligën e Serbisë, falë paraqitjeve të shkëlqyera me skuadrën e Novi Pazarit.
Sulmuesi i krahut iu bashkua klubit më 19 janar, duke firmosur kontratë deri në fund të sezonit, por ndikimi i tij në fushë ka qenë i menjëhershëm. Ai e nisi aventurën me dy gola në barazimin 2:2 ndaj Spartakut më 1 shkurt, ndërsa më pas realizoi edhe në fitoren 2:1 kundër OFK Beogradit. Fundjavën e kaluar, Camaj shkëlqeu me dy supergola në triumfin 3:0 ndaj Vojvodinës në Novi Sad, duke konfirmuar formën e tij të jashtëzakonshme.
28-vjeçari nga Malësia mban fanellën me numrin 10 te Novi Pazari dhe luan në pozitën e sulmuesit të krahut. Ai ka 28 paraqitje dhe dy gola me përfaqësuesen e Malit të Zi, ndërsa gjatë karrierës ka luajtur për Buduqnost Podgoricën, Inter Zapreshiqin, Deçiqin e Tuzit, Lovçenin, Iskra Danilovgradin, si dhe për disa klube në Hungari e Kazakistan, përfshirë Kisvardën, Kecskemetin dhe së fundmi Astanën.
Aktualisht, Novi Pazari renditet në vendin e katërt në elitën e futbollit serb, pas Crvena Zvezdës, Partizanit dhe Vojvodinës. Në një kampionat ku futbollistët shqiptarë shfaqen shumë rrallë, Camaj po arrin të tërheqë vëmendjen jo vetëm me golat, por edhe me energjinë që ka sjellë në skuadër.
Vetë futbollisti është shprehur i kënaqur me fillimin e tij te klubi:
“Jam shumë i lumtur. Që nga fillimi kam ndier mbështetje të madhe nga klubi dhe tifozët. Fillimi është si në ëndërr dhe do të përpiqem ta vazhdoj këtë ritëm sa më gjatë”, ka deklaruar Camaj për mediat në Mal të Zi.
Ai ka vlerësuar edhe atmosferën e futbollit në Novi Pazar, duke e cilësuar si të veçantë dhe plot emocion, ndërsa tifozët e zjarrtë vazhdojnë të krijojnë një ambient të fuqishëm mbështetjeje për skuadrën.