Njihuni me brezin X: Në moshë të mesme, të tërbuar dhe të radikalizuar nga vreri i internetit

Kush po e shtyn përpara rebelimin populist? Nuk janë pensionistët e acaruar apo adoleshentët e ndjeshëm – është brezi im.

Burimi: The Guardian

Kur kishim dyshime, flisnim për motin. Ose, nëse jo për këtë, atëherë për atë se përse trenat përsëri vonohen, apo sa e bukur ishte foshnja e dikujt: ai lloji i rutinës monotone që shkëmben me të huajt në rrugë. Por, diçka po ndryshon në mënyrën se si flasim në publik.

Disa ditë më parë isha në [supermarketin] Aldi, duke bërë bisedën e zakonshme në arkë. Kur arkëtarja tha se ishte e lodhur nga puna me turne shtesë për të fituar ca para për Krishtlindje, burri pas meje ndërhyri duke thënë se do të jetë edhe më keq pasi “ajo do të na marrë të gjitha paratë” (nëse Rachel Reeves ishte në hamendje, deklaratat e saj për buxhetin po ndikojnë). Deri këtu rutinë, po të mos kishte vazhduar të shtonte se ajo dhe pjesa tjetër e qeverisë duhej të hiqeshin qafe dhe se ka mjaft ish-ushtarakë përreth që dinë se çfarë duhet bërë – përpara se të vazhdonte në mënyrë më grafike, derisa radha ra në heshtje dhe njerëzit nisën të lëviznin. Por, gjëja më e çuditshme ishte se ai i tha të gjitha këto me mjaft qetësi, sikur vrasja politike të ishte temë e pranueshme bisede me të huajt, si futbolli apo sa gjatë kanë zgjatur punimet në rrugë. Vetëm më vonë më ra në mend: ishte lloji i bisedës nga Facebook-u që ka marrë jetë. Ai e thoshte me zë të lartë, edhe në publik, llojin e gjërave që njerëzit i thonë shpesh në internet, pa e kuptuar se në botën reale ato janë ende tronditëse – të paktën për tani.

Mendova për të kur ministri i Shëndetësisë, Wes Streeting, shprehu shqetësim këtë javë se po bëhej “e pranueshme, në aspektin social, të jesh racist” sërish, me punonjës të NHS-it [Shërbimi Shëndetësor Kombëtar] nga pakicat etnike që luftojnë me një valë demoralizuese gjërash të cilat njerëzit, me sa duket, tani ndihen të guximshëm t’ua thonë atyre. Ajo që përshkroi Streetingu – jo vetëm racizëm i paepur, por një ndjesi e përgjithshme se frenimet po zhduken – shtrihet shumë përtej dhomave të pritjes në spitale. Mund ta ndjesh në stacione autobusi, ku pyetjet e sjellshme se përse 44-shi nuk ndalon më këtu përfundojnë papritur në tangjente të egra për gjurmë kimike ose për qeverinë që të përgjon; ose në biseda rastësore në derën e shkollës, ku prindërit që përndryshe duken krejtësisht normalë dalin të kenë disa ide shumë të çuditshme për vaksinat.

Një mike e quan këtë “sauna politike”, pas bisedave të mbushura me teori konspirative që ajo dëgjon në saunën e qendrës lokale të rekreacionit. Por, sido që ta quani, është sikur njerëzit po shprehin me zë të lartë monologët e tyre të brendshëm – gjërat që deri vonë do të kishin pasur turp t’i thoshin në publik, apo ndoshta edhe t’ia pranonin vetes se i mendojnë – me zë të lartë. Sepse, në fund të fundit, ata i thonë këto gjëra në internet dhe askush nuk befasohet. Pse jo në një dhomë pritjeje në spital? Është ekuivalenti i bisedës së djemve të rinj që përpiqen të provojnë në jetën reale gjërat që kanë parë në pornografinë e internetit dhe çuditen kur përfundojnë keq – përveçse këtë herë fajtorët nuk janë adoleshentë e hutuar, por prindërit e tyre, të shkëputur nga shembja marramendëse dhe e shpejtë e normave sociale në internet dhe kthimi i sharjeve që nuk i kanë dëgjuar me zë të lartë që nga fëmijëria.