Operacion i gjerë, arrestohen disa qytetarë e një polic për fajde, detyrim dhe bixhoz





Policia dhe Inspektorati Policor i Kosovës me autorizim të Prokurorisë Themelore dhe Gjykatës Themelore në Prizren kanë realizuar operacionin e koduar “TOTO” në disa rajone të vendit ku janë arrestuar disa persona.

Operacioni kishte për qëllim zbatimin e Urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prizren për arrestimin e personave të dyshuar përfshirë edhe një zyrtar policor dhe kontrollin e disa lokacioneve në Prizren, Prishtinë, Malishevë, Suharekë, njofton Klankosova.tv.

Hetimi është duke u zhvilluar mbi bazën e dyshimit se nga të dyshuarit në këtë rast janë kryer vepra penale të “Fajdes”, “Detyrimit” dhe “Organizimi i Skemave Piramidale dhe Bixhozit të Paligjshëm”.

Deri në këtë fazë të realizimit të operacionit janë kontrolluar disa lokacione dhe deri me tani janë arrestuar disa persona të dyshuar.

“Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme e parave, disa vetura, telefona mobil, armë dhe municion. Pasi që operacioni është ende në zhvillim e sipër detajet shtesë do të ofrohen pas përfundimit të operacionit policor përmes një komunikate shtesë”.