Pa dialog, pa BE? Sfida e mandatit Kurti 3

Albin Kurti e fitoi besimin e votuesve me një diskurs të fortë për sovranitetin e Kosovës dhe barazinë si shtet.

Por, mandatin e ri si kryeministër e nis në një kohë kur marrëdhëniet transatlantike janë të brishta dhe sfidat gjeopolitike të reja. Ata që e vëzhgojnë, thonë se është thelbësore për Kurtin që ta rikthejë besimin e aleatëve dhe t’i shmangë hapat surprizë – në të kundërtën, rreziqet janë serioze.

Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit fitoi bindshëm zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke marrë mbi 51% të votave dhe duke thyer rekordin e saj. Pas muajsh bllokade politike, për shkak se zgjedhjet e shkurtit 2025 nuk i dhanë të njëjtin sukses, Kurti u rizgjodh kryeministër më 11 shkurt dhe u zotua se mandati i tij i ri do të fokusohet në rezultate konkrete dhe qeverisje efektive për qytetarët.

“Mandati të cilin po e kërkojmë, është mandat pune, drejtësie dhe dinjiteti për secilin. Mandat sigurie dhe begatie për të gjithë”, tha Kurti natën kur u votua Qeveria e tij.

Gjatë prezantimit të kabinetit të ri, Kurti bëri një bilanc të mandatit të kaluar, duke theksuar arritjet në ekonomi, siguri dhe demokraci, dhe paraqiti prioritetet e ardhshme në arsim, mirëqenie sociale dhe energji.

Disa vëzhgues vlerësojnë se dialogu me Serbinë duhet të jetë prioritet kryesor i agjendës së jashtme të Kurtit, pasi prej tij varet hapja e Kosovës dhe përparimi i saj drejt integrimeve evropiane.

Abit Hoxha, ligjërues dhe hulumtues në Universitetin Agder në Norvegji, thotë se sovraniteti nuk nënkupton vetëm aftësinë për të ruajtur kufijtë, por edhe aftësinë për të marrë vendime në interesin më të mirë të vendit. Sipas tij, dialogu nuk duhet parë si proces që favorizon Serbinë, por si mjet strategjik për të forcuar pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.

“Implementimi i njëanshëm i marrëveshjeve do ta vendoste Kosovën në një pozitë avantazhi, edhe në raport me BE-në, por edhe me Serbinë. Kosova, deri më tash, ka ndjekur atë që ka bërë Serbia: moszbatimin e marrëveshjeve”, thotë Hoxha për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Dy vendet nuk zhvilluan ndonjë takim të nivelit të lartë që nga shtatori i vitit 2023. Vazhdimi i dialogut u bllokua pas sulmit në Banjskë, pasi Kurti e lidhi atë me dorëzimin e autorit të dyshuar, Millan Radoiçiq – veprim të cilin Serbia nuk e bëri.

Lulzim Peci, nga Instituti Kosovar për Kërkim dhe Zhvillim të Politikave, thotë se zbatimi i obligimeve të Kosovës në dialog, nuk është për Serbinë, por për të fituar besimin e bashkësisë ndërkombëtare. Vetëm kështu, sipas tij, Kosova mund të hapë rrugën drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe më pas drejt kandidaturës për në BE – çështje për të cilat vendosin vetë vendet e BE-së, e jo Beogradi.

“Ne duhet ta dimë se me Serbinë, përvoja tregon se mund të arrish marrëveshje dhe të fillosh t’i zbatosh, por nuk duhet pritur prej saj se do t’i zbatojë të gjitha pikat ashtu siç merresh vesh, sepse Serbia e ka stilin negociues të Rusisë në raport me Kosovën. Pra, ti mendon që ke arritur një marrëveshje dhe papritmas e sheh veten në mes të oqeanit”, thotë Peci për Exposenë.

Peci nënvizon se, në këtë kontekst, hapat e parë duhet të jenë dërgimi i draftit të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe rregullimi i statusit të Kishës Ortodokse Serbe – çështje që janë të brendshme, por me ndikim të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet ndërkombëtare, sipas tij.

“Kosovës i duhet tani të mos ndërmarrë veprime prapa shpinës së aleatëve, veçanërisht për çështjet e veriut dhe komunitetit serb. Rindërtimi i besimit me Perëndimin do të kërkojë kohë, pasi qëndrimi i tij pas humbjes së besimit në Qeverinë e Kosovës, do të testohet në muajt në vijim”, thotë Peci.

Raportet transatlantike janë në një pikë të ulët, të tensionuara nga një varg çështjesh – nga pasiguria mbi mbështetjen për Ukrainën dhe situata në Gazë, tek interesat amerikane për Grenlandën.

Ndaj, Kurt Bassuener, nga Këshilli për Politikën e Demokratizimit në Berlin, sugjeron që Kosova t’i menaxhojë me kujdes marrëdhëniet me SHBA-në dhe të forcojë pozicionin e saj në Evropë, duke synuar njohjen nga pesë vendet që nuk e kanë njohur ende dhe duke u paraqitur si një aset për një BE më të unifikuar dhe të qëndrueshme.

“Duhet t’i shohë Kosova interesat e saj afatgjata, në funksion të garantimit të pavarësisë së saj dhe aftësisë për të qenë shtet demokratik dhe vetëqeverisës. Dhe tani… do të thosha se kjo është më e mundshme përmes Evropës – edhe pse është e dhimbshme ta pranojmë – sesa përmes Shteteve të Bashkuara, nën menaxhimin aktual”, thotë Bassuener për Exposenë.

Ai shton se Kosova duhet të jetë e hapur ndaj partnerëve të rinj që mund të forcojnë pavarësinë dhe sigurinë e saj, por duke ruajtur gjithmonë përputhshmërinë me aspiratat evropiane.

Hoxha, në anën tjetër, insiston që Kosova të jetë më proaktive me SHBA-në, duke iniciuar vetë çështje në interes të saj.

“Nuk duhet Kosova të refuzojë qëndrime që vijnë nga Shtëpia e Bardhë në interesin e Kosovës. Ajo duhet të shohë më përtej. Kemi pasur një seri ndërhyrjesh nga Departamenti amerikan i Shtetit gjatë mandatit të kaluar, të cilat janë refuzuar në mënyrë kategorike dhe kanë shkaktuar përçarje mes dy vendeve”, thotë Hoxha.

E, derisa politikanët diskutojnë për strategji dhe marrëdhënie ndërkombëtare, për prioritete e vendime, qytetarët e zakonshëm e ndjekin jetën me shqetësime krejt tjera: nga pensionet dhe sigurimet shëndetësore deri te shërbimet e përditshme që ndikojnë në xhepin e tyre. Ata duan që politika e Qeverisë së re Kurti të përkthehet në përmirësime konkrete, por shpresa, për fat të keq, është më e hollë se dëshira.

“Kemi shumë gjëra që duhen rregulluar, por mendoj se një prej prioriteteve do të duhej të ishte sigurimi shëndetësor, çështja e pensioneve, të aktivizohet edhe Trepça, t’u jepen mundësi të rinjve të qëndrojnë këtu, e jo ta shohin largimin si rrugëdalje”, thotë Albulena Billalli nga Prishtina.

“Punësimi më së pari, të krijohen më shumë vende pune për kuadro të reja, sepse kemi ngecje në aspektin e punësimit”, thotë Shqipe Klinaku.

Jeremije Aksentijeviq nga Mitrovica e Veriut thotë se Qeveria e re duhet të kujdeset më shumë për popullsinë e moshuar, e cila “mezi ia del deri në fund të muajit”.

“Ne të gjithë i kemi dokumentet e Kosovës, letërnjoftimet, pasaportat, te gjitha…”, shprehet ai.

Në skenarin më optimist, mandati i Qeverisë Kurti 3 zgjat deri në vitin 2030, kur disa vende fqinje mund të jenë anëtarësuar në BE – së paku sipas sinjaleve të Brukselit për Shqipërinë dhe Malin e Zi.

Kosova mbetet e vetmja në Ballkanin Perëndimor pa status kandidati për BE, edhe pse Kurti e përshkruan vendin si “më demokratikun në rajon”, me pasaportën “më të fortë se kurrë”.

Për ekspertë si Lulzim Peci, kjo nuk mjafton – ata paralajmërojnë se pa koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, Kosova rrezikon të mbetet e izoluar – një pasojë e rrezikshme kjo në një skenë ndërkombëtare të paqëndrueshme./Radio Evropa e Lirë