Policia konfirmon masa të veçanta për ndeshjen vendimtare të Tërnocit në Bosilegrad

Ndeshja mes KF Tërnocit dhe Mladost Bosilegrad, e cila konsiderohet vendimtare për fatin e skuadrës nga Tërnoci në ligë, do të zhvillohet nën masa të shtuara sigurie, raporton Spektri.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Serbisë, në përputhje me ligjin, të gjithë pjesëmarrësit në stadium do të incizohen dhe fotografohen gjatë gjithë zhvillimit të ndeshjes që luhet këtë të shtunë (04 prill) nga ora 16:00 në stadiumin “Peskara” në Bosilegrad.

Ky vendim vjen në një moment kritik, duke pasur parasysh tensionin dhe rëndësinë e përballjes, e cila mund të përcaktojë të ardhmen e KF Tërnocit në ligë.

Autoritetet kanë paralajmëruar gjithashtu për kontrolle të rrepta dhe prani të shtuar të forcave të rendit, ndërsa tifozët pritet të udhëtojnë në mënyrë të organizuar dhe nën përcjellje.

Mesazhi është i qartë: çdo lëvizje do të jetë nën vëzhgim!

Ndërkohë, nga KF Tërnoci është bërë thirrje për sjellje korrekte dhe përkrahje sportive, në një ndeshje që pritet të jetë ndër më të rëndësishmet e viteve të fundit për klubin.