​Kurti: Kosova s’ka nevojë për zgjedhje të reja, të punojmë së bashku për presidentin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për herë të parë në Kuvendin e Kosovës pas rrëzimit të dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e legjislaturës së dhjetë.

Kurti në foltoren e Kuvendit, tha se u dëshmua se dekreti ishte në shpërputhje me Kushtetutën, teksa shtoi se asnjë president nuk mund të shpërndajë vullnetin e popullit pavarësisht presionit të afateve dhe paqartësive kushtetuese.

Sipas tij, vullneti i popullit nuk mund të anulohet me dekrete dhe të shpërndahet. Ai nënvizoi se vendi nuk ka nevojë të shkojë në zgjedhje të reja, por të ketë bashkëpunim për zgjedhjen e presidentit.

“Dekreti i lëshuar ishte në shpërputhje me Kushtetutën e Kosovës. Ka krijuar një situatë e cila kërkon qartësi, jo konfuzion, e cila kërkon përgjegjësi dhe jo shmangie. Gjykata Kushtetuese ka folur për natyrën e republikës sonë demokratike dhe parlamentare dhe për kufijtë që Kushtetuta i vendos çdo institucioni. Në këtë rend, shpërndarja e Kuvendit nuk është instrument për të tejkaluar vështirësi politike dhe mbi të gjitha është vërtetuar dhe dëshmuar edhe nga Gjykata Kushtetuese se presidenti nuk mund të shpërndajë vullnetin e popullit as në presion të afateve dhe paqartësive kushtetuese. Vullneti i popullit nuk anulohet me dekrete dhe rrjedhimisht as nuk shpërndahet. Kemi një detyrë të qartë. Kuvendi është funksional dhe i kthehet punës së tij. Mandati i deputetëve është i gjallë dhe përgjegjësia ndaj proceseve dhe politikave publike është më e madhe”, tha ai.

Sipas Kurtit, Kosova nuk e ka luksin e vonesave dhe bllokadave të vjetra, por duhet të punohet së bashku për të tejkaluar ngërçin aktual për presidentin.

“Sot nuk e kemi luksin e vonesës, të bllokadës dhe nuk kemi nevojë për zgjedhje të reja të sërishme si ikje nga përgjegjësia që na takon. Kosovës institucionet e saja legjitime me vullnet të shprehur rishtazi duhet ta lënë të punojë. Ka pasur mjaftueshëm zgjedhje dhe rizgjedhje, tani na duhet të punojmë sa më shumë që të mundemi bashkë dhe jo të kemi bllokada të reja që nuk e lënë vitin e vjetër të jetë në të kaluarën. Bllokadat, grackat, kleçkat nuk janë mendësi e zhvillimit, por ngecjes. Është koha të ecim përpara dhe të jemi në krye të detyrës”, tha ai.

Ai foli edhe për nevojën e miratimit të Projektligjit për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

“Rruga para nesh nuk duhet të jenë pengesat, inatet apo refuzimet për të ecur përpara. Por çka pritet prej nesh është miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, agjendës legjislative dhe politikave publike që kërkojnë konsistencë dhe siguri juridike. Të gjitha këto nuk mund të mbahen peng të një krize të prodhuar politikisht. Vullneti i popullit është shprehur më 28 dhjetor në zgjedhjet e lira dhe demokratike dhe tash ne duhet të flasim për vullnetin tonë për t’i shtyrë përpara punët e mira për qytetarët. Qytetarët presin që ne të procedojmë sa më shpejt me byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, pasi lufta kundër korrupsionit nuk është një kapitull që hapet dhe mbyllet sipas nevojës politike, por është një vijë e pandërprerë që e ndan drejtësinë nga padrejtësia… Nëse qytetari i zakonshëm duhet të japë llogari për çdo cent që e fiton, atëherë edhe ai që është pasuruar në mënyrë të pajustifikueshme duhet të japë përgjigje për çdo euro që ka abuzuar. Një shtet që nuk i dënon të fortit e padrejtë, në fakt i braktis të dobëtit çdo ditë”, tha ai.

Ndërkaq, nënvizoi nevojën edhe të miratimit të Projektligjit për çmimet tavanë. Ai tha se ka tregtarë dhe biznese të mëdha që kanë keqpërdorur krizën për të rritur artificialisht çmimet.

“Pozita dhe opozita janë dëshmitarë se qytetarët tanë kanë ankesa për abuzime me çmime të larta. Atëherë nëse pajtohemi për problemin, duhet të pajtohemi edhe për zgjidhjen. Me fjalë të tjera, duhet të kthejmë ligjin për çmimin tavan, jo si debat ideologjik, por si përgjigje ndaj një realiteti që çdo familje e ndjen çdo ditë… Në secilën krizë dikush zgjedh të përfitojë. Ka tregtarë, biznese të mëdha që kanë keqpërdorur krizën për të rritur artificialisht çmimet… Liria ekonomike nuk mund të kthehet në liri për të shfrytëzuar dhe tregu të jetë një hapësirë ku më i forti vendos mbi më të dobëtin. Duhet theksuar se të njëjtën iniciativë e morëm edhe më herët, por u pat kontestuar nga opozita në Kushtetuese”, theksoi ai.