Procesi i vlerësimit të projekteve të dorëzuara në thirrjet publike të mbështetura nga Qeveria e Republikës së Kosovës po vazhdon në KKSh. Komisionet e krijuara për tri fushat kryesore – kulturë, përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe organizatat sportive – kanë zhvilluar shumicën e procedurave dhe janë në fazën përfundimtare të punës.
Në komisionin e kulturës bëjnë pjesë Kastriot Saqipi, Leonora Pajaziti dhe Qendrim Hetemi. Fushën e përdorimit zyrtar të gjuhës e vlerësojnë Kujtim Kadriu, Fadil Aliti dhe Refik Shemsedini, ndërsa projektet sportive po shqyrtohen nga Sedat Pajaziti, Berina Kamberi dhe Nijazi Nuhiu.
Në ditët në vijim nis edhe vlerësimi për projektet e informimit, ku janë caktuar tre gazetarë të Luginës: Alban Selimi, Faruk Daliu dhe Hasan Hasani.
Nga KKSh bëjnë të ditur se puna e komisioneve po zhvillohet në mënyrë të pavarur, dhe secili anëtar vlerëson individualisht përmes fletëve të vlerësimit. Sipas tyre, procesi nuk do të ndikohet nga përkatësitë politike të aplikantëve, dhe vendimet do të bazohen vetëm në cilësinë e projektit dhe punën e dokumentuar.
Këtë vit janë dorëzuar gjithsej 177 projekte nga Presheva, Bujanoci, Medvegja dhe Sanxhaku. Pas përfundimit të punës së të gjitha komisioneve, KKSh do të publikojë listën e pikëve përfundimtare për secilin aplikues.