Profilet e rreme në Instagram po heshtin mediat kritike në Serbi

Dhjetëra media, organizata joqeveritare dhe aktivistë në Serbi u përballën me pezullim ose mbyllje të përkohshme të llogarive të tyre në Instagram, pas një vale të koordinuar ndjekësish të rremë, të krijuar përmes profileve “bot”.

Sipas një analize të Radios Evropa e Lirë (REL), bëhet fjalë për profile të reja, pa ndjekës dhe me pak ose aspak aktivitet, të cilat në mënyrë të sinkronizuar filluan të ndjekin media kritike dhe organizata civile. Ky aktivitet u interpretua nga kompania Meta si i dyshimtë, çka çoi në pezullimin automatik të llogarive.

Më 18 janar 2026, mbi njëzet media dhe organizata në Serbi u prekën nga ky veprim. Mes tyre ishte edhe e përjavshmja “Radar”, profili i së cilës u pezullua përkohësisht, ashtu si edhe llogaritë e mediave “Nova S”, “N1” dhe portalit rinor “Zoomer”.

Bojan Perkov nga Fondacioni SHARE, i cili merret me sigurinë digjitale, vlerëson se bëhet fjalë për një rast të paprecedentë, pasi në të njëjtën kohë u goditën aktorë të ndryshëm publikë – media, fotoreporterë, organizata civile dhe aktivistë.

“Problemi kryesor është se Meta moderon përmbajtjen në mënyrë mekanike dhe shpesh reagon edhe ndaj llogarive që nuk shkelin rregullat”, thekson Perkov për REL-in.

Shumica e profileve u rikthyen brenda një dite, ndërsa nga kompania Meta u konfirmua se disa llogari ishin pezulluar gabimisht. Meta tha se po punon për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.

Sulme të koordinuara me “botë”

Pak ditë para pezullimeve, disa media paralajmëruan publikisht për rritje të pazakonta të ndjekësve. Portali “Nova S” raportoi se brenda një dite fitoi mbi 40 mijë ndjekës të rinj pa ndonjë përmbajtje virale, për të humbur më pas dhjetëra mijëra prej tyre.

Sipas të dhënave të platformës Social Blade, këto profile kishin karakteristika tipike të llogarive “bot”: ishin krijuar së fundmi, nuk kishin ndjekës dhe aktiviteti i tyre ishte i kufizuar vetëm në ditën e parë.

Fenomeni preku edhe organizata studentore, veçanërisht ato të përfshira në protesta dhe bllokada universitare kundër Qeverisë së Serbisë. Disa prej tyre u pezulluan përkohësisht edhe në fund të vitit 2025.

Kritika për mungesë transparence

Organizata joqeveritare CRTA konfirmoi se profili i saj u mbyll pa asnjë paralajmërim, edhe pse nuk kishte rritje të pazakontë të ndjekësve. Sipas përfaqësueses së saj, Meta nuk dha asnjë shpjegim për vendimin.

Ekspertët vlerësojnë se rregullat jotransparente të Meta-s janë veçanërisht problematike për vendet jashtë BE-së, si Serbia, ku nuk zbatohen mekanizmat e Aktit për Shërbimet Digjitale.

Reagime nga organizatat e gazetarëve

Shoqatat e mediave dhe gazetarëve e dënuan këtë zhvillim, duke e cilësuar si një “aksion të koordinuar për sabotim digjital” ndaj mediave të pavarura. Asociacioni për Mediat Elektronike (ANEM) kërkoi hetim të menjëhershëm dhe përgjegjësi për sulmet me profile të rreme.

Sipas të dhënave ndërkombëtare, Serbia vazhdon të renditet ndër vendet me rënien më të madhe të lirisë së medias në rajon. Vetëm gjatë vitit 2025 u regjistruan dhjetëra raste kërcënimesh ndaj gazetarëve, ndërsa Freedom House e rendit Serbinë ndër vendet me përkeqësimin më të madh të lirisë së mediave në dekadën e fundit.

Burimi: Radio Evropa e Lirë (REL)