Propozohet ‘Ditari Arsimor’: Emision javor edukativ për të gjitha shkollat!

Forumi i Shkollave të Mesme Profesionale ka propozuar sot që mediat elektronike, veçanërisht servisi publik dhe mediumet tjera me frekuencë kombëtare të verifikuar, t’i dedikojnë një ditë në javë një “Ore Arsimore” 45-minutëshe.

Në njoftim thuhet se mysafirë të kësaj ore do të ishin mësimdhënës, ekspertë të fushave të ndryshme, por edhe vetë nxënësit, ndërsa do të diskutoheshin tema me rëndësi kyçe për arsimin, zhvillimin personal dhe profesional të të rinjve, si dhe informimi i gjithë shoqërisë për funksionimin dhe sfidat e sistemit arsimor.

“Ditarin Arsimor” do të trajtonte tema si: sjellja e mirë, dhuna mes nxënësve dhe format tjera të dhunës, njohja me zanatet dhe profesionet deficitare, orientimi profesional dhe zgjedhja e karrierës, interesat dhe aftësitë e nxënësve, shkathtësitë e jetës dhe punës, puna me seksionet shkollore, rregullorja e veshjes dhe shkolla e prindërimit.

Forumi theksoi se kjo iniciativë duhet të jetë e qasshme edhe në rrjete të tjera mediale, duke rikujtuar se modele të ngjashme tashmë ekzistojnë në disa vende evropiane, përfshirë Slloveninë./Spektri