Qeveria e Kosovës ndanë 250 mijë euro për ekipin kombëtar pas kalimit në ‘play-off’, premton edhe premio tjera për kualifikim

Sot (e enjte), 27 nëntor, Qeveria e Kosovës në detyrë ka mbajtur mbledhjen e 277-të duke ndarë premio edhe për ekipin e Kombëtares së Kosovës pas sigurimit të fazës ‘play-off’ për kualifikim në Kupën e Botës 2026.

Kombëtarja e Kosovës i ka mbyllur kualifikueset për Kampionatin Botëror në pozitën e dytë të Grupit B, pas Zvicrës, duke siguruar kështu fazën ‘play-off’.

Pas shortit të hedhur para disa ditësh në Cyrih të Zvicrës, Dardanët do të ndeshen me Kombëtaren e Sllovakisë në gjysmëfinale, ndërsa në rast fitoreje në finalen e madhe për kualifikim do të luajnë me fituesin e takimit Turqi-Rumani.

Për këtë sukses të ekipit kombëtar, Qeveria e Kosovës në detyrë ka vendosur t’i ndajë një premio prej 250 mijë eurosh dhe këtë e ka konfirmuar Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së 277-të.

“Për suksesin historik në këtë fushatë të kualifikimeve në Kupën e Botës 2026 kalimi në fazën e play-off-it me vendim të qeverisë sot do të ndajmë 250 mijë euro shpërblim”, ka thënë fillimisht Kurti.