Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi, ka njoftuar se është dënuar për herë të pestë nga Prokuroria e Serbisë për ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar.
Mustafi e ka quajtur këtë veprim një përndjekje të hapur dhe të vazhdueshme ndaj simbolit kombëtar shqiptar, duke e konsideruar si një akt diskriminues dhe përpjekje për frikësim politik ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Sot, pas më shumë se dy vitesh nga përfundimi i mandatit si Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, u dënova sërish për ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar. Ky është një absurd dhe përndjekje ndaj simbolit tonë kombëtar, që synon të frikësojë dhe censurojë ata që shprehin identitetin e tyre kombëtar”, ka deklaruar Mustafi.
“Lufta jonë për të drejtat tona vazhdon, pavarësisht pengesave apo presioneve që na bëhen,” ka shtuar ai, duke shprehur përkushtimin e tij për të vazhduar mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, pavarësisht ndëshkimeve që mund të përballen./Telegrafi/