Rama pajtohet me SHBA-në kundër “aksionit të Policisë së Kosovës në veri”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se ka në të njëjtin qëndrim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që tensionet në veri janë jo vetëm të rrezikshme, por sipas tij, edhe krejtësisht të panevojshme.

Rama në Twitter ka shkruar se ajo çka po ndodh në veri nuk e ndihmon as Kosovës e as Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

“A e ndihmon kjo që po ndodh në Kosovë procesin ku janë angazhuar të tërë miqtë e mëdhenj të Kosovës e të shqiptarëve, për normalizim dhe njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë?! Me siguri jo përderisa vetë miqtë tanë më të mëdhenj shprehen thellësisht të shqetësuar! Unë bashkohem me ta në apelin për të mos ecur më tej në këtë shteg jo vetëm të rrezikshëm, po edhe krejt të panevojshëm sot, kur bota demokratike e ka vendosur në qendër të vëmendjes dialogun, normalizimin, njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar kryeministri i Shqipërisë.

Të premten kryetarët e rinj të komunave në Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan tentuan të hynin në objektet komunale, një ditë pas betimit, por u përballën me qytetarë serbë që bllokuan hyrjet e objekteve komunale. Policia ka ndërhyrë për t’i shpërndarë protestuesit, ndërsa të paktën dy kryetarë mësohet të kenë hyrë në objektet komunale.

Nga incidentet e sotme në veri, pesë policë janë lënduar, por më pas u janë kthyer detyrave policore. Ndërkohë, janë dëmtuar edhe katër automjete, përfshirë një i djegur. Është sulmuar edhe ekipi i KOHËS.

SHBA-ja përmes ambasadorit Jeffrey Hovenier e ka dënuar aksionin e Policisë në veri.