Më shumë se 90 për qind e fëmijëve dhe të rinjve përdorin internetin, ndërsa 7 nga 10 fëmijë kanë përjetuar të paktën një formë ngacmimi apo përvoje shqetësuese në hapësirën online, ka njoftuar sot Ministria e Punëve të Brendshme në Serbi (MPB).
Sipas të dhënave të publikuara në rrjetet sociale, vetëm një e treta e fëmijëve kanë folur me të rriturit për këto përvoja, ndërsa pjesa tjetër kanë zgjedhur të heshtin, duke mos e raportuar rastin, transmeton Spektri.
MPB u bën thirrje që të mos ndajnë të dhëna personale me persona të panjohur, të mbrojnë dhe sigurojnë profilet e tyre në rrjetet sociale, të raportojnë përmbajtje të dyshimta dhe të flasin me prindër, mësues apo persona të besuar për çdo shqetësim.
“Format e dhunës digjitale janë të ndryshme – nga fyerjet dhe shantazhi, deri te keqpërdorimi i fotografive, krijimi i profileve të rreme dhe përndjekja online. Vitet e fundit po shënohet edhe rritje e rasteve të keqpërdorimit të inteligjencës artificiale, përmes videove ‘deepfake’ dhe zërave të rremë”, thuhet në njoftimin e MPB-së./Spektri