Rroga offline e kryetari online!

“Në Bujanoc rroga nuk vonohet rastësisht – ajo sakrifikohet që pushteti të qeverisë rehat dhe opozita të mos prishë pazaret e nesërme.”

Vështrim nga Egzon Lakna

Komuna e Bujanocit ka vendosur të ecë me kohën. Rrogat? Ende në përgatitje. Kryetari? Aktiv, në lëvizje, me axhendën dërkombëtare. Sepse në vitin 2026 nuk ka më nevojë për para – mjafton vizioni. Dhe vizioni, për fat të mirë, po nënshkruhet në letra me logo universitetesh private jashtë kufijve. Në fund të fundit, kush ka nevojë për para kur ka durim?

Punëtorët e administratës dhe të ndërrmarjeve komunale prej muajsh po ushtrojnë durimin si sport ekstrem. Pa rrogë, por me përgjegjësi. Pa siguri, por me orar. Ndërkohë, kryetari i komunës, është shembull i lëvizshmërisë institucionale. Ai nuk ngec në gjëra të vogla si pagat. Jo, ai merret me gjëra të mëdha: memorandume bashkëpunimi, universitete private, fotografi zyrtare dhe buzëqeshje protokollare. Rroga nuk paguan imazh, por memorandumi po.

Dikur, si opozitar, kritikonte vonesat e rrogave si “krim social”. Sot, nga zyra e kryetarit, janë “borgjet e trashëguara”. Atëherë ishte turp, dështim dhe katastrofë sociale. Sot është “situatë e trashëguar” dhe “sfidë buxhetore”. Mesa duket, problemi nuk ishte paga – problemi ishte kush e vononte atë.

Por Bujanoci nuk do të ishte ky që është pa opozitën e tij shembullore. Një opozitë elitare, ekologjike, që kursen energji dhe fjalë. Një opozitë e qetë, e matur, e heshtur si bibliotekë me ambicie të fshehura. Aq e heshtur, sa të krijon përshtypjen se mos po kursen zërin për ditën kur të hyjë në koalicion.

Në këtë dimër të ftohtë, opozitën duket se e ka zënë gjumi i thellë. Jo gjumë proteste, por gjumë i kalkulimit. Gjumë institucional. Gjumë që të lë përshtypjen se edhe këta kanë bërë dje, ose shpresojnë të bëjnë nesër, të njëjtën gjë që po bën pushteti sot. Prandaj heshtin. Heshtja është investim afatgjatë.

Ndërkohë, pushteti qeveris i qetë. Nuk ka presion, nuk ka zëra, nuk ka protesta. Pse të shqetësohesh për rrogat, kur opozita është më e qetë se administrata pa paga?

Bujanoci sot është shembull i qeverisjes kreative: nuk ka para për punëtorët, por ka energji për protokoll; nuk ka transparencë për rrogat, por ka konferenca për të ardhmen; nuk ka përgjigje për administratën, por ka buzëqeshje për kamerat. Dhe përballë gjithë kësaj, opozita praktikon disiplinën e re politike: mos e kritiko fort, se nesër mund të ulesh në të njëjtën tavolinë.

Ndoshta ky është modeli i ri i politikbërjes nga gjeneratat e reja: pushteti nënshkruan memorandume, opozita nënshkruan heshtjen. Punëtorët? Ata mbeten mes këtyre dy nënshkrimeve, pa rrogë, por me shumë durim.

Dhe kështu, ndërsa punëtorët pyesin “kur rroga?”, kryetari pyet “ku është ceremonia e radhës?”, ndërsa opozita pyet veten në heshtje: “a të flasim sot, apo nesër… kur të ngrohet pak?”.

Bujanoci sot nuk ka krizë financiare, por krizë karakteri politik. Sepse kur pushteti nuk ndjen turp dhe opozita nuk ndjen nevojë të flasë, qytetari mbetet pa zë, punëtori pa rrogë dhe demokracia pa kuptim.

Në fund, problemi nuk është që rrogat mungojnë, por që mungesa e tyre nuk shqetëson askënd që flet në emër të qytetarëve.

 

Vërejtje: Opinioni  nuk paraqet pikëpamjet e mediumit. Autori, Egzon Lakna është hulumtues dhe ekspert në fushën e organizatave joqeveritare dhe të drejtave të njeriut dhe sjell këtë analizë si vlerësim profesional dhe kritik të situatës aktuale në komunën e Bujanocit, me fokus tek qeverisja lokale, vonesat e rrogave dhe dinamika e opozitës.

Egzon Lakna i diplomuar në fakultetin e gjuhëve, kulturave dhe komunikimit në drejtimin komunikim ndërkombëtarë.