Sanchez ndërpret kontratën me Interin, pritet të nënshkruajë për Marseille

Alexis Sanchez thuhet ta ketë ndërprerë kontratën me Interin me pëlqim të ndërsjellë pas bisedimeve disajavëshe dhe pritet të nënshkruajë për Olympique Marseille.

Kiliani kishte kontratë me Nerazzurrët deri në qershor 2023, por duke mos qenë në planet e Simone Inzaghit nuk mund të vazhdonte të ishte lojtari më i paguar në skuadër.

33-vjeçari përfitonte rreth shtatë milionë euro për sezon prej se u transferua si lojtar i lirë nga Manchester Unitedi në shtator të vitit 2020 (ndërsa në sezonin paraprak ishte i huazuar).

Sipas L’Equipe, besohet se Alexis ka përfituar 4.5 milionë euro për ndërprerjen e kontratës me Interin.

Futbollisti regjistroi 108 paraqitje me fanellën zikaltër duke shënuar 20 gola dhe duke dhuruar 23 asistime.

Në këtë periudhë, i ndihmoi skuadrës të fitonte titullin e Serie A, Kupën e Italisë dhe Superkupën e Italisë.