Sharje për vota: Programet mbeten në hije

Termat ofendues dhe denigrues, si “hajvan”, “njeri i Serbisë”, “të shitur”, “hibridë”, “Vukvendosje”, “sekt politik” e të tjera, janë bërë pjesë e fjalorit të pothuajse të gjitha partive kryesore politike në Kosovë.

Gjuha e tillë, e përdorur publikisht nga politikanët prej vitesh, ka arritur kulmin në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, vlerësojnë përfaqësues të shoqërisë civile, analistë dhe ekspertë të sjelljeve shoqërore dhe mediave.

Fushata zyrtarisht nis më 17 dhjetor, por partitë politike i kanë nisur tashmë aktivitetet e tyre: takime me qytetarët, adresime publike dhe debate televizive.