Ulqini do të jetë këtë vit mikpritës i një prej ngjarjeve më të mëdha televizive kushtuar figurës së Nënë Terezës. Spektakli “Shën Tereza, shqiptarja e gjithë botës”, nën kujdesin e veçantë të kryetarit të komunës Genci Nimanbegu, pritet të sjellë emocione të forta dhe një homazh artistik për simbolin shqiptar të humanizmit.
Në sallën madhështore të Shtëpisë së Kulturës do të ngjiten 14 personalitete të biznesit dhe humanistë shqiptarë nga vende të ndryshme të botës, ndërsa artistë nga Kosova dhe diaspora do të plotësojnë atmosferën e kësaj mbrëmjeje të veçantë.
Producenti dhe prezantuesi Sokol Guga ka bërë bashkë një ekip të njohur profesionistësh që garantojnë një spektakël të nivelit të lartë. Skenografia i është besuar sërish Bledar Gërcaliut, ndriçimi Olsi Tufës, audio Andri Gjinit, grafikat Taulant Hyso me ekipin e tij, ndërsa regjia mban firmën e Armelin Llanaj.
Pas suksesit të madh vitin e kaluar në Luginën e Preshevës, spektakli këtë herë vjen në Ulqin si një kujtesë artistike për mesazhin universal të Shën Terezës – dashurinë për njeriun dhe përkushtimin ndaj më të dobëtëve. Përmes televizionit dhe artit skenik, kjo ngjarje synon të bashkojë publikun rreth vlerave që vazhdojnë të frymëzojnë breza të tërë.
