Shqipëria dhe strategjia e re amerikane e sigurisë

Zakonisht, dokumentet zyrtare që kalohen pa u vënë re, harrohen në rafte të pluhurosura institucionesh. Mirëpo, ky s’është rasti me Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, të sapopublikuar, e cila tregon se bota po ndryshon kurs. Jo sepse sjell risi konceptuale të panjohura, por sepse e thotë troç atë që prej kohësh kemi nuhatur në korridoret amerikane të pushtetit, që “daja Semi” po largohet nga universalizmi moral dhe po rikthehet te nacionalizmi pragmatik. Ditët kur ShBA-ja mbante peshën e rendit botëror, si “Atlasi i kërrusur”, duket se me Trumpin kanë marrë fund. Evropa aty përmendet me një ton të ftohtë, pothuajse teknik, duke u distancuar nga retorika e deritanishme për “vlerat e përbashkëta” apo “komunitetin transatlantik”. Përmes “Angazhimit të Hagës”, vendet e NATO-s duhet të shpenzojnë pesë përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtjen dhe rimëkëmbjen e industrisë ushtarake. Amerika nuk kërkon më vetëm shpërndarje të barrës, por zhvendosje të saj, duke pritur që aleatët të mbulojnë vetë rajonet e tyre.

Për vende të vogla si i yni, që ka përfituar bollshëm nga bujaria amerikane, ky ndryshim është ekzistencial dhe alarmues. Për tri dekada, Shqipëria ka jetuar me një avantazh të heshtur si aleat i vogël simpatik, i bindur, pa probleme, pa ambicie destabilizuese; një vend që votonte gjithmonë siç duhej, që ofronte mbështetje simbolike kurdoherë që i kërkohej dhe që nuk krijonte telashe. Në një botë liberale dhe idealiste kaq mjaftonte, por në botën e sotme kjo s’vlen më.

Strategjia amerikane është brutalisht e qartë: aleatët si Shqipëria duhet të kontribuojnë më shumë dhe në mënyrë të matshme në sigurinë kolektive; të mbrojnë vetë territorin dhe hapësirën e tyre strategjike; të mos funksionojnë më si barrë apo si nevojtarë të përhershëm të mbrojtjes amerikane; të mos tolerojnë që territori i tyre të kthehet në bazë të krimit të organizuar, korridore trafiku apo zona gri që minojnë stabilitetin rajonal dhe mbi të gjitha, të mos lejojnë që infrastruktura kritike, portet, energjia, komunikimet dhe asetet strategjike të bien nën ndikimin apo kontrollin e fuqive rivale që sfidojnë rendin euroatlantik dhe sigurinë e përbashkët.