Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme në Republikën e Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka publikuar agjendën zyrtare të Samitit IV të Diasporës Shqiptare, i cili do të mbahet nga 13 deri më 15 prill në Tiranë, duke mbledhur shqiptarë nga e gjithë bota në një platformë të përbashkët bashkëpunimi.
Me moton “Përmes rrënjëve lartësohemi, të bashkuar forcohemi”, samiti synon të shndërrojë lidhjet e diasporës me atdheun në projekte konkrete dhe mundësi reale zhvillimi për të ardhmen.
Sipas agjendës zyrtare, samiti hapet më 13 prill me një ceremoni në Teatrin e Operas dhe Baletit, ku do të nderohen personalitete të diasporës nga Presidenti i Shqipërisë.
Ndërsa 14 dhe 15 prilli do të jenë të mbushura me panele tematike në Pallatin e Kongreseve dhe institucione të tjera, duke trajtuar çështje kyçe si:
- roli i diasporës në demokraci dhe përfaqësim politik
- investimet, biznesi dhe inovacioni
- shëndetësia dhe arsimi
- ruajtja e gjuhës dhe identitetit
- zhvillimi lokal dhe bashkëpunimi ndërshqiptar
- integrimi evropian dhe strategjitë për diasporën
Në mesin e panelistëve do të jenë edhe përfaqësues nga Lugina e Preshevës.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, do të marrë pjesë në panelin për diasporën dhe demokracinë përfaqësuese, ku do të diskutohet roli i shqiptarëve jashtë vendit në proceset politike.
Po ashtu, kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, është pjesë e panelit për zhvillimin lokal dhe rolin e diasporës, duke sjellë perspektivën e komunave shqiptare në rajon.
Samiti nuk do të jetë vetëm forum diskutimi, por edhe një hapësirë konkrete bashkëpunimi, ku parashihen takime B2B dhe rrjetëzim bizneses, prezantime projektesh për diasporën, aktivitete kulturore dhe ekspozita, hapësira për startup-e dhe inovacion.
Samiti IV i Diasporës konsiderohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme për lidhjen e shqiptarëve kudo që jetojnë, duke synuar të forcojë bashkëpunimin institucional dhe ekonomik mes diasporës dhe vendeve shqiptare.