Me çmimin për filmim me të mirë të shkurtër e ka përmbyllur rrugëtimin në Beograd, filmi “Si e verdhë e sëmurë” i Norika Sefës. Ka triumfuar në edicionin e 17-të të Festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar “Beldocs” që përshkruhet si “oponencë absolute e çdo censure, autocensure apo frenimi të krijimtarisë artistike”. Megjithatë, politika edhe këtu ka shenjën e vet. Filmi “vjen” nga Kosova me fusnotë, e për zyrtarët institucionalë të vendit për këtë duhet të pyeten politikanët
“Si e verdhë e sëmurë”, kishte premierën sivjet në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Rotterdam. Dokumentari i Sefës – emër i njohur i gjeneratës së re të kineastëve – merret me të kaluarën. Videokasetat familjare janë subjekt i këtij projekti që ka garuar në Beograd, ku Kosova është paraqitur me fusnotë dhe shpjegimin për mosparagjykim të statusit të saj.
Sipas përshkrimit që i bëhet projektit kinematografik që është përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, filmi është një thurje nga materialet arkivore të videokasetave të tregimeve familjare që nuk janë më.
“Ai zhytet në kujtesën e Norës, ku realitetet shkrihen, hapësira e jetës bëhet skenë e rutina performancë”, shkruhet në shpjegim.
Dokumentari 23-minutësh prodhim i shtëpisë fimike “CMB”, me producent Mentor Shalën e bashkëproducent Besnik Krapin është vlerësuar lart në festivalin që synon të jetë “oponencë absolute e çdo censure, autocensure apo frenimi të krijimtarisë artistike”.
Producenti Mentor Shala ka thënë se është ndjenjë shumë e mirë kur të vlerësohet filmi nga kolegët profesionistë. Për këtë ka përmendur dy arsye.
“E para se shpërblehet puna dhe koha që është investuar në krijimin e këtij filmi, e dyta si rikonfirmim që vizioni dhe ideja jonë është përcjellë te publiku ashtu siç e kemi menduar”, ka thënë ai. Ka sqaruar se “Si e verdhë e sëmurë” është film eksperimental i një regjisoreje profesionale dhe shumë të talentuar, i subvencionuar nga QKK-ja
“Është punuar duke rimontuar materiale nga videot familjare, për të përçuar një ide të pritjes dhe ankthit të kohës së para luftës në Kosovë”, ka thënë Shala. Ka treguar se menjëherë pas përfundimit të filmit kanë siguruar agjent shitjeje kompaninë “Square Eyes Films” nga Vjena.
“Planifikojmë që këtë film ta shfaqim edhe në shumë festivale të tjera, kështu që ky është vetëm fillim i rrugëtimit”, ka shtuar Shala. /KOHA.net/Spektri