Singapori pritet ta ekzekutojë me vdekje një grua pasi u shpall fajtore për posedimin e 30 gramëve heroinë

Singapori pritet të ekzekutojë gruan e parë pas pothuajse 20 vjetëve, pasi u shpall fajtore për posedimin e rreth 30 gramëve heroinë për qëllime trafikimi.

Saridewi Djamani, u shpall fajtore në vitin 2018, ndërsa pritet të jetë një nga dy rastet që pritet të dënohen me vdekje këtë javë.

Përveç Djamanit, dënimi me vdekje e pret edhe malajzianin, Mohd Aziz bin Hussain, i cili u shpall fajtor po ashtu në vitin 2018 për trafikim të rreth 50 gramëve heroinë.

Saridewi është një nga dy gratë e dënuara me vdekje në Singapor, sipas Kirsten Han, një gazetare dhe aktiviste që ka kaluar një dekadë duke bërë fushatë kundër dënimit me vdekje në Singapor, shkruan TheGuardian, transmeton Klankosova.tv.

Qeveria e Singaporit thotë se dënimi me vdekje është një parandalues efektiv kundër krimit të lidhur me drogën, që e mban qytetin të sigurt dhe mbështetet gjerësisht nga publiku. Ai gjithashtu thotë se proceset e tij gjyqësore janë të drejta.

Të paktën 13 persona janë varur deri më tani në Singapor që kur qeveria rifilloi ekzekutimet pas një ndërprerjeje dyvjeçare gjatë pandemisë.