Skandali në Preshevë: Si u dëmtua gastronomia nga neglizhenca e shtabit të krizave?

Komuna e Preshevës apo konkretisht Shtabi për Situata të Jashtëzakonshme në këtë Komun, kanë bërë një neglizhim skandaloz rreth orarit të punës së bizneseve të gastonomisë, raporton Spektri.

Në fillim të prillit, Shtabi i Krizave në Republikën e Serbisë kishte zbutur masat për bizneset në fushën e gastronomisë, duke i lejuar të punonin në terasa dhe veranda me orarë deri në ora 22:00.

Ky lehtësim ishte i mirë se ardhur nga gastronomia. Por me fillim e Ramazanit gjërat përsëri u vështirësuan për bizneset në Komunat me popullat muslimane, pasi, pas Iftarit kishte mbetur shumë pak kohë për punë efektive.

Por duket se disa Komuna të Sanxhakut kishin marrë masat për këtë brengë të gastronomisë.

Këto Komuna me popullësi muslimane, kishin shfrytëzuar hapsirën e vendimit të fundit të Qeverisë për masat anti-covid, në të cilin u jepej mundësia Komunave që në raste speciale mund të shtojnë apo lejtësojnë këto masa.

Kësisoji këto Komuna kanë dërguar kërkesa në Shtabin Republikan, për zgjatjen e orarit të punës deri në ora 23:30 për bizneset e gastronomisë, me arsyetimin bindës të mungesës së kohës pas Iftarit.

Këto kërkesa i ka marrë në konsideratë Shtabi Republikan duke ja aprovuar një vendim të tillë.

Me të kuptuar këtë mundësi, me iniciativë të disa pronarëve të lokaleve në Bujanoc, Komuna e Bujanocit më 16 Prill ju drejtua Shtabit Republikan me të njejtën kërkesë, duke marrë leje për punë të gastronomisë edhe në Komunën e Bujanocit.

Por në vendimin e ri të aprovuar nga Shtabi Republikan, të cilën e posedon Spektri, Shtabi për Situata të Jashtëzakonshme kishte përmendur edhe Komunën e Preshevës, duke ja mundësuar zgjatjen e orarit e punës edhe gastronomisë në këtë Komunë.

Por, derisa në Bujanoc që nga 16 prilli u zgjat orari i punës deri në ora 23:30, Komuna e Preshevës këtë “leje” duket se e ka neglizhuar totalisht.

Se a ishte i qëllimshëm dëmtimi i këtyre bizneseve, apo ishte neglizhim skandaloz nga zyrtarët komunal mbetet të shihet në ditët në vazhdim.

Spektri ka raportuar se gjatë dy javëve të fundit në sheshin e Bujanocit është vërejtur një fluks i madhë i qytetarëve nga Komuna e Preshevës, të cilët shfrytëzonin orarin e hapur të kafiterive në Komunën e Bujanocit./Spektri