Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se nga prilli nuk ka më instrumente të tjera ligjore të funksionimit të shtetit në kuptimin financiar. Sipas tij, pa miratim të buxhetit të vitit 2020, shteti bankroton, meqë shfrytëzimi i buxhetit të vitit paraprak mund të bëhet vetëm deri në muajin mars.

Pas mbledhjes së Qeverisë, Haradinaj tha se në janar dhe shkurt nuk ka pengesa të funksionimit buxhetor.  Por, sipas tij, nëse vazhdohet njëjtë në gjysmën e dytë të muajit shkurt, atëherë fillon rreziku për dështim të funksionimit të shtetit.

“Për më 1 prill nuk ka instrumente të tjera ligjore të funksionimit të shtetit në kuptimin financiar, jo vetëm që bankrotojmë por dështojmë krejtësisht. Deri më 1 prill, është fundi”, tha Haradinaj.

E sipas Haradinajt, në prill pason bllokadë nëse nuk votohet buxheti i vitit 2020.Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, ka përgjegjësi që t’i jap Kosovës institucionet e reja, ose të ndërmarrë hapa të tjerë se çka do të veprojë tutje.

Ndërkohë, i pyetur se a ka marrë ndonjë ftesë për takim me Vetëvendosjen ose Lidhjen Demokratike të Kosovës, Haradinaj tha se partia e tij nuk është e përfshirë në asnjë lloj negociatash rreth krijimit të Qeverisë së re të Kosovës.

Kosova ka mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare tre muaj më parë, ku partia fituese ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, e pasur nga Lidhja Demokratike e Kosovë, subjekte këto që ende nuk kanë arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje.

(Kosova Sot Online)

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim ambasadorin e Sllovenisë në vendin tonë, Bojan Bertoncelj, me të cilin diskutoi për raportet e mira që të dy vendet kanë ndërtuar ndër vite.

Siç thuhet në njoftim, ambasadori Bertoncelj i përcolli kryeparlamentarit Konjufca urimet e homologut të tij slloven, Dejan Židan, me rastin e zgjedhjes në krye të Kuvendit të Kosovës.

Kryeparlamentari Konjufca vlerësoi lart mbështetjen e Sllovenisë për Kosovën në të gjitha proceset, ndërsa përkrahjen për Kuvendin e saj e konsideroi të një rëndësie të veçantë.

Ai tha se nëpërmjet kësaj mbështetjeje, Kuvendi ka arritur të avancojë kapacitetet në shumë aspekte të punës së tij, ndërsa theksoi nevojën që bashkëpunimi midis dy parlamenteve të forcohet edhe më tej në të ardhmen. /tribuna

Njëjtë sikurse në vitin e kaluar, shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, ka thënë se do ta vazhdojë luftën kundër pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Daçiq ka thënë se në vitin 2020 Serbia do të vazhdojë përpjekjet për ruajtjen e integritetit territorial dhe pavarësisë së Serbisë dhe për gjetjen e një zgjidhje kompromisi sa i përket çështjes së Kosovës.

“Unë pres më shumë shtete që të tërheqin njohjes. Do të vazhdojmë veprimet diplomatike kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata dhe institucione ndërkombëtare”, ka thënë Daçiq.

Përveç tjerash Daçiq ka thënë se do të vazhdojnë të forcojnë raportet jo vetëm me Rusinë dhe Kinën, por edhe me SHBA’në, Francën, Gjermaninë, Britaninë e Madhe, siç ka potencuar diplomati serb për të ruajtur raportet “me miqtë tradicional nëpër botë”./GazetaExpress/

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli,  është kthyer sot nga Haga, pasi që dje u intervistua në Gjykatën Speciale, shkruan Indeksonline.

Atë e pritën veterantë e simpatizantë të Partisë Demokratike të Kosovës me lule në dorë.

Madje, shumë nga ta kishin veshur edhe disa bluza ku shkruhet: Unë jam Kadri Veseli, Luftëtar Krenar!

Veseli së bashku me bashkëshorten e tij , me të arritur në Kosovë ka thënë se dëshiron sa më shumë paqe dhe qetësi për popullin e Kosovës.

“Sa më shumë paqe, qetësi për popullin tonë. Zoti e mbrojtë Kosovën. Lavdi e përjetshme për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Gjithmonë krenar për jetë. Faliminderit të gjithëve”, ka thënë Veseli./Indeksonline/

Ambasadori Rus në Serbi Alexander Botsan-Kharchenko e ka quajtur Kosovën ‘një shtet të rremë’ dhe ka thënë se kjo është ende pjesë e Serbisë, duke shtuar tutje se BE’ja duhet të presë për t’i pajtuar këto të dyja.

Deklaratat e radhës të politikanit nga Rusia e mbështesin edhe më shumë pozitën e Qeverisë së Serbisë, e cila po refuzon ta njoh Kosovën që nga shpallja e pavarësisë, më 17 shkurt 2008.

Në lidhje me ndërmjetësimin e BE’së për të arritur një marrëveshje Prishtinë-Beograd, në mënyrë që dy vendeve t’u hapën rrugët rreth proceseve të rëndësishme, Botsaj Kharchenko është deklaruar se është më mirë të presin.

“Nuk ka asnjë ide në vend të parë për një ndërtim sa më të rregullt të dialogut. Është më mirë të presin, të ndërtohet besimi, dhe të rregullohen problemet e vogla por të rëndësishme”, ka thënë ai para gazetarëve serbë.

Në fund, Ambasadori nuk ka ngurruar të quajë Kosovën një ‘shtet të rremë dhe pjesë të Serbisë’, duke shtuar se nëse ka ndonjë marrëveshje, ajo duhet të bëhet me kompromis, përcjell Gazeta Metro.

“Kosova është pjesë e Serbisë. SHBA’të kanë ndërtuar një shtet të rremë, kur e mbështetën Kosovën për ta deklaruar shpalljen e pavarësisë së saj”, ka thënë ai.

Kujtojmë se pavarësisht këtyre deklaratave të vazhdueshme që vijnë nga Serbia e Rusia, Bashkimi Europian dhe SHBA’të i kanë bërë thirrje Kosovës që ta heqë taksën 100 përqind dhe të kthehen në tavolinën e bisedimeve me Beogradin.

Në këtë mënyrë, sipas tyre, vendi do të arrijë një marrëveshje finale dhe do t’u hapen shumë rrugë dhe procese në integrimet euro-atlantike./gazetametro.net

Kosova është vetëm mbi Republikën Dominikane dhe Filipinet në PISA 2018.

Rezultatet që janë duke u publikuar e nxjerrin Kosovën me një rezultat të ngjashëm me atë të vitit të kaluar dhe në disa fusha ka edhe regres, njofton Klan Kosova.

Kosova ka 353 pikë në performancën e leximit, 366 në matematikë dhe 365 në shkenca.

Për të publikuar rezultatet zyrtare ministri në detyrë i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, do të mbajë konferencë në ora 11:00.

Ndërkaq, në krye të kësaj liste prin Kina, ndërsa Singaporin e lë në vendin e dytë. /Klan kosova

Kosova sot do të jetë në ditë zie, pas tërmetit të fuqishëm që goditi Shqipërinë e Mesme, ku la dhjetëra persona të vdekur dhe qindra të lënduar.

Presidenti, Hashim Thaçi, ka marrë dje vendim që dita e mërkurë, të jetë ditë zie në Kosovë, shkruan Kosovarja.

Kështu që, sot flamujt do të ngrihen në gjysëmshtizë, në nderim të viktimave nga tërmeti.

Në anën tjetër, shumë shqiptarë nga Kosova, tashmë kanë marrë rrugën për në Shqipëri, duke u dalë në ndihmë vëllezërve shqiptarë.

Qeveria në detyrë e Kosovës, dje mori vendim që 500 mijë euro të ndahen nga buxheti i shtetit si ndihmesë për shtetin shqiptar, transmeton Spektri.

Ministria e Punëve të Jashtme kanë reaguar pas lajmit në mediat serbe, ku shkruan Republika e Naurus ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, shkruan Gazeta Express.

Këshilltari i ministrit në detyrë të MPJ-së, Jetlir Zyberaj, ka thënë për Gazetën Express se Ministria e Punëve të Jashtme është duke punuar përmes kanaleve diplomatike me të gjitha shtetet. Derisa, shton se Kosova nuk bën komente për deklarata dhe dokumente që shpallen nga Beogradi dhe që bëhen pasi shteti serb paguan ryshfet për to.

Zyberaj ka thënë se nuk kanë marrë asnjë komunikim lidhur me këtë temë, e se dy vendet kanë marrëdhënie diplomatike të vendosura në përputhje me Konventën e Vjenës.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës po punon përmes kanaleve diplomatike me gjitha shtetet. Kosova nuk bën komente për dokumentet dhe deklaratat që shpallen nga Beogradi dhe që si në të kaluarën si në rastin e Republikës së Afrikës Qendrore ryshfetet janë përdorur për të lëshuar dokumente dhe për të bërë deklarata që janë hedhur poshtë nga qeveritë e veta më vonë. Ne nuk kemi marrë asnjë komunikim dhe dy vendet tona kanë marrëdhënie diplomatike të vendosura në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike”, ka thënë Zyberaj.

Sot, ndërkaq, mediat e afërta me pushtetin në Serbi kanë raportuar se Republika e Naurus ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, pa e dokumentuar një gjë të tillë.

Shteti i Naurus ka qenë një prej të parëve që ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Nauru gjendet në Oqeani dhe ka një hapësirë vetëm prej 21 kilometrave katrorë.

Në faqen e MPJ-së figuron se Nauru ka njohur Kosovën shtet më 23 prill të vitit 2008. /GazetaExpress/

Sipas një hulumtimi të organizatës “Aktiv” në veri të Mitrovicës, rezultatet e të cilit janë prezantuar të enjten, 73 për qind e serbëve të anketuar në 10 komunat me shumicë serbe në Kosovë janë deklaruar kundër idesë për korrigjimin e kufirit, ndërsa 50 për qind e të anketuarve mendojnë se kërcënimi më i madh për sigurinë në Kosovë janë proceset aktuale politike.

Mbi 50 për qind e serbëve të Kosovës nuk e shohin veten në shtetin më të ri (Kosovë) në 5 vjetët e ardhshëm, kanë treguar rezultatet e një analize të realizuar në vitin 2019.

Në hulumtim janë përfshirë kryesisht qëndrimet e bashkësisë serbe në Kosovë lidhur me çështjet më të rëndësishme politike, të sigurisë dhe ato socio-ekonomike. Rezultatet e hulumtimit dhe analizën e rezultateve e ka paraqitur organizata “Aktiv” në veri të Mitrovicës, të enjten, shkruan Gazeta Zëri.

Edhe sot ka vazhduar skandali me harta në Shqipëri ku Kosova shfaqet si pjesë e Serbisë.

Pasi që kryeministri Edi Rama publikoi një video në të cilën shihej në hartë Kosova si pjesë e Serbisë, sot gjatë ditës janë publikuar harta të librave shkollorë ku shteti i Kosovës shfaqet nën kufijtë e Serbisë.

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka shkruar në Facebook se sot gjatë ditës dikush i ka dërguar një foto të një librit ‘Qytetaria’ të klasës së 8, derisa, në të shihet Kosova si pjesë e Serbisë.

Fotografia e publikuar nga ish-kryeministri Sali Berisha

Këtë akt e ka quajtur tradhti kombëtare, Berisha, derisa ka publikuar fotografinë e librit.

Ndryshe, ditë më parë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama publikoi një fotografi ku Kosova shihej si pjesë e Serbisë. I njëjti postim qëndroi në llogarinë e tij për më shumë se pesë orë, derisa u editua më vonë.

Për këtë temë, pati reagime të shumta drejtuar Ramës, ani pse ky i fundit nuk e ka sqaruar vetë këtë veprim./GazetaExpress/