Takim Erdogan–Mitsotakis në Ankara, flasin për bashkëpunimin dypalësh RTSH

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, priti në Ankara kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis, në takimin e tyre të parë pas gati dy vitesh.

 

Vizita u zhvillua në Kompleksin Presidencial dhe u pasua nga mbledhja e gjashtë e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë mes dy vendeve. Pas bisedimeve kokë më kokë, delegacionet zhvilluan diskutime të zgjeruara për çështjet kryesore dypalëshe.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Erdogan theksoi se u trajtuan hapur dhe sinqerisht temat e ndjeshme të Egjeut dhe Mesdheut Lindor. Ai deklaroi se, megjithëse këto çështje janë komplekse, ato nuk janë të pazgjidhshme. “Ajo që nevojitet është vullneti i mirë, dialogu konstruktiv dhe dëshira për zgjidhje. Unë dhe miku im i dashur Kyriakos biem dakord për këtë”, u shpreh presidenti turk.

Erdogan kujtoi edhe vizitën e tij në Athinë në dhjetor të vitit 2023, që sipas tij hapi një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Gjatë asaj vizite u nënshkrua Deklarata e Athinës për Marrëdhënie Miqësore dhe Fqinjësi të Mirë. Dokumenti synon forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit në fusha të ndryshme. Presidenti turk tha se që prej asaj kohe është shënuar progres në disa sektorë.

Ai shtoi se i njëjti vrull mund të shfrytëzohet edhe për zgjidhjen e çështjeve në Egje. Takimi në Ankara shihet si një hap i ri për uljen e tensioneve dhe forcimin e marrëdhënieve mes dy fqinjëve dhe aleatëve në NATO.