Vendet e BE-së do të rinisin imunizimin me AstraZeneca

Shtetet kryesore të Bashkimit Evropian do të rinisin imunizimin kundër koronavirusit me vaksinën AstraZeneca, pasi rregullatori shëndetësor i BE-së konfirmoi se ajo është “e sigurt dhe efektive”.

Agjencia Evropiane e Barnave e rishikoi vaksinën pasi 13 shtete të BE-së e pezulluan përdorimin e saj, nga frika se shkakton mpiksje gjaku.

Agjencia konstatoi se vaksina nuk lidhet me ndonjë rrezik më të lartë të mpiksjes së gjakut.

Gjermania, Franca, Italia dhe Spanja thanë se do të rinisin përdorimin e vaksinës.

U takon shteteve individuale të BE-së që të vendosin nëse duan dhe kur duan të rinisin imunizimin me AstraZeneca.

Suedia tha se i duhen “disa ditë” për të vendosur.

Organizata Botërore e Shëndetësisë u bëri thirrje vendeve që të vazhdojnë përdorimin e vaksinës, ndërsa sot pritet t’i publikojë rezultatet e saj të rishikimit të vaksinës.

Çfarë ka ndodhur me vaksinën AstraZeneca?

Danimarka është bërë javën e kaluar vendi i parë që ka ndaluar përdorimin e vaksinës AstraZeneca, pas raporteve për mpiksje gjaku te disa njerëz.

Një person, madje, ka vdekur si pasojë e trombozave të shumta, dhjetë ditë pasi është vaksinuar me dozën e parë të AstraZenecës.

Autoritetet shëndetësore daneze kanë thënë se pezullimi do të zgjasë së paku dy javë, derisa rastet të hetohen.

Megjithatë, ato kanë theksuar se “aktualisht, nuk mund të konstatohet nëse ekziston ndonjë lidhje midis vaksinës dhe mpiksjes së gjakut”.

Shpejt pas Holandës, edhe vendet e tjera të BE-së, por jo vetëm, kanë pezulluar imunizimin me AstraZeneca.

Kompania AstraZeneca, që ka zhvilluar vaksinën në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, ka thënë se më pak se 40 raste të mpiksjes së gjakut janë raportuar që nga java e kaluar, ndërsa janë vaksinuar miliona njerëz.

AstraZeneca ka thënë më herët se siguria e ilaçit është studiuar gjerësisht gjatë provave klinike./TCH