Qeveria e Serbisë ka miratuar dekretin për kufizimin e çmimit të derivateve me qëllim të parandalimit të shqetësimeve më të mëdha dhe ruajtjen e standardit jetësor të popullatës, duke qenë se në periudhën e kaluar ka pasur rritje të çmimeve të këtyre derivateve, e cila ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen të çmimeve të të gjitha mallrave dhe shërbimeve tjera,raporton Spektri.
Qeveria e Serbisë ka përcaktuar që çmimi maksimal me pakicë i derivateve të naftës Euro dizel duhet të jetë 179 dinarë ndërsa Euro premium BMB 95 maksimalisht 171 dinarë për litër.
Çmimi mesatar i shitjes së derivateve në pikat e karburanteve në Serbi këto ditë është më i lartë për më shumë se 30 dinarë se një vit më parë.
Një litër benzinë BMB 95 këto ditë kushton rreth 171 dinarë, ndërsa Eurodieseli pak më shumë se 180 dinarë. Të dyja llojet e karburanteve janë shtrenjtuar mbi 5% nga fillimi i këtij viti dhe ekspertët besojnë se trendi i rritjes së çmimeve do të vazhdojë. Edhe autogazi është për 32 dinarë më i shtrenjtë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar dhe kushton 93,64 dinarë, por vetëm ai ka shënuar rënie të lehtë të çmimit prej rreth dy për qind në krahasim me janarin.
Për të mbushur rezervuarin mesatar prej 50 litrash benzinë, qytetarët e Serbisë këto ditë duhet të shpenzojnë rreth 1500 dinarë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ata që ngasin vetura me benzinë duhet të paguajnë 73 euro, ose rreth 8500 dinarë, ndërsa ata që ngasin makina me naftë duhet të paguajnë rreth 76.5 euro ose rreth 9000 dinarë.
Për të njëjtën sasi karburanti vitin e kaluar, shoferët kanë ndarë rreth 13 euro më pak nëse kanë veturë benzin, ndërsa ata që mbushin dizel kanë paguar rreth 14 euro më pak./Spektri