Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se zgjedhjet mund të mbahen në dy periudha të mundshme – më 12 korrik ose deri në fund të nëntorit, duke theksuar se ende nuk është marrë një vendim përfundimtar.
Duke komentuar spekulimet se data e mundshme e korrikut lidhet me sezonin e pushimeve, Vuçiq tha se zgjedhjet nuk caktohen në bazë të asaj nëse qytetarët janë në pushime apo jo, por sipas interesit të shtetit.
“Zgjedhjet nuk shpallen në varësi të asaj nëse dikush është duke pushuar apo jo, por kur është më e përshtatshme për shtetin”, u shpreh ai.
Ai shtoi se për shkak të situatës aktuale ndërkombëtare dhe tensioneve globale, aktualisht nuk është duke menduar intensivisht për datën e zgjedhjeve, por nuk përjashtoi asnjërin nga afatet e përmendura.
Vuçiq theksoi se fushata zgjedhore do të ketë një rol kyç në përcaktimin e rezultatit, duke vlerësuar se balanca politike mund të ndryshojë gjatë prezantimit të programeve nga partitë.
Sipas tij, zgjedhjet duhet të jenë një garë demokratike, ku qytetarët do të vendosin përmes votës.
Presidenti serb bëri thirrje për uljen e tensioneve politike, duke dënuar incidentet e fundit, përfshirë djegien e veturave të zyrtarëve partiakë në disa zona.
Ai theksoi se veprime të tilla nuk përfaqësojnë kundërshtarë politikë, por akte kriminale, duke u bërë thirrje mbështetësve të tij që të mos reagojnë me të njëjtën mënyrë./Spektri