Në mbledhjen tematike të Qeverisë së Serbisë, të mbajtur sot në Pallatin “Serbia”, përveç kryeministrit dhe ministrave, të pranishëm ishin edhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeparlamentarja Ana Brnabiq.
Vuçiq e shfrytëzoi fjalën e tij për kritika të ashpra ndaj anëtarëve të qeverisë dhe drejtuesve të ndërmarrjeve publike, duke thënë se shumë prej tyre kanë treguar mungesë përgjegjësie gjatë periudhës së fundit, veçanërisht në kohën kur qytetarë në disa pjesë të Serbisë përballeshin me mungesë të energjisë elektrike dhe ngrohjes.
Sipas tij, nuk ka justifikim për pushime fundjave apo udhëtime private, derisa vendi përballet me sfida serioze. Ai u bëri thirrje zyrtarëve që, nëse nuk kanë energji dhe vullnet për të punuar, të largohen nga funksionet që mbajnë, duke paralajmëruar se është i gatshëm të iniciojë procedura për shkarkimin e ministrave dhe se mund të sigurojë shumicën parlamentare për këtë qëllim.
Presidenti theksoi se qytetarët kanë të drejtë të udhëtojnë dhe të pushojnë, por se kjo e drejtë nuk vlen për anëtarët e qeverisë në momente krize. Ai shtoi se detyra e qeverisë është të punojë vazhdimisht në interes të qytetarëve dhe jo të jetë e shkëputur nga realiteti i tyre i përditshëm.
Në deklarimet e tij, Vuçiq foli edhe për situatën globale dhe zhvillimet ndërkombëtare, duke vlerësuar se bota ndodhet në një pikë kthese dhe se viti 2026 do të jetë edhe më i paqëndrueshëm. Ai paralajmëroi fragmentim të mëtejshëm brenda Bashkimit Evropian dhe tensione të reja politike, duke theksuar se Serbia duhet të angazhohet maksimalisht për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.
Ai u ndal edhe te infrastruktura dhe shërbimet publike, duke përmendur problemet e mëdha në sistemin e ujësjellësit dhe nevojën për investime shumë miliardëshe, si dhe sfidat në sektorin e energjetikës. Ai theksoi se përgjegjësia për funksionimin e këtyre sistemeve bie drejtpërdrejt mbi institucionet shtetërore dhe drejtuesit e tyre.