Është nënshkruar marrëveshja në mes të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe kryeshefit ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave të Zhvillimit të Shteteve të Bashkuara (DFC), Adam Boehler.

I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit ishte edhe i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Në konferencën e përbashkët për media, pas nënshkrimit të marrëveshjes, zyrtarët amerikanët kanë premtuar mbi 1 miliard dollarë investime për projektin “Autostrada e Paqes”, hekurudhën që lidh Kosovën me Serbinë dhe projektet e tjera, shkruan Telegrafi.

Marrëveshja e nënshkruar të hënën është në vazhdën e marrëveshjeve të nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.

Kryeministri i vendit Avdullah Hoti ka thënë se është i lumtur ta mirëpres delegacionin amerikan në Kosovë, transmeton Telegrafi.

“Prezenca e tyre e tregon seriozitetin për zbatimin e një marrëveshjeje, e cila po cilësohet marrëveshje historike drejt marrëveshjes finale mes dy vendeve. Kishim një bisede të gjerë për të gjitha pikat e marrëveshjes, do të lëvizim shpejt drejt zbatimin të kësaj marrëveshje. Marrëveshja që kemi arritur do të krijojë mijëra vende të punës, do të shndërrojë Kosovën dhe regjionin më të integruar. Ne jemi angazhuar si Qeveri dhe kemi bërë përgatitjet e duhura të lëvizim drejt zbatim të marrëveshjes”, tha Hoti.

Ndërkaq, Grenell ka pohuar se qëllimi i vizitës së tyre në Kosovë ka të bëjë me zbatimin e marrëveshjes ekonomike mes dy vendeve.

“Jemi këtu për të treguar zotimin dhe angazhimin tonë për marrëveshjen për normalizim ekonomik. Qytetarëve të Kosovës u janë bërë shumë premtime në të kaluarën, dhe ne përmes kësaj marrëveshje po bëjmë një zotim para jush që është zbatimi i marrëveshjes ajo për çka kemi ardhur. Ajo që ne po bëjmë përmes kësaj marrëveshjeje, dhe të gjithë stafet nga SHBA dhe përmes ambasadës amerikane, është që të shprehim përkushtimin tonë. Ajo që duam ne është përmbushja e marrëveshjes dhe të ecim përpara për një zhvillim ekonomik. Zhvillimi ekonomik, vendet e punës dhe energjia, do të ndryshojë peizazhin politik të rajonit”, tha Grenell, përcjell Telegrafi.

Kurse, kryeshefi ekzekutiv i DFC-së, Adam Boehler theksoi se do të investojnë në Kosovë.

“Me kolegët e mi nga Departamenti i Energjisë, me EXIM Bank, një bankë tjetër 100 miliardë dollarëshe, e fokusuar në eksport dhe import, me Departamentin Ekonomik dhe Këshillin e Sigurisë Ndërkombëtare. Është një delegacion i paprecedent për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ne jemi këtu për ta nënshkruar një marrëveshje dhe për t’i mbështetur miqtë e tonë në Kosovë”, tha Boehler.

Sipas Boehler, vlera e projekteve të investuara do të kaloj vlerën e një miliard dollarëve.

“Ne kemi punuar në përgatitjet për mundësitë të asaj që ka ndodhur para dy javësh. Ne kemi punuar me ambasadën tonë, me ambasadorin, ne jemi duke përgatitur projekte që kalojnë vlerën një miliard dollarë. Kjo përfshinë rrugën “Autostrada e Paqes”, hekurudhën, përfshinë gazin e lëngshëm natyror (LNG). Ne kemi folur dhe kemi diskutuar për mundësinë e investimeve në resor skijimi”, tha ai në konferencën për medie.

Ndryshe, Delegacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po udhëhiqet nga kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC) Adam Boehler, i dërguari special i SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, përfaqësues të USAID, Kryetarin e Bankës së Eksport-Importit të Shteteve të Bashkuara (EXIM), si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë nga Departamentet e Energjisë dhe Tregtisë në SHBA. /Telegrafi/

Zëvendëskryeministrja e Serbisë, Zorana Mihajloivic, ka treguar se të mërkurën do të takohet me delegacionin e lartë të Korporatës Amerikanë për Zhvillim dhe Financa (DFC).

Ajo ka treguar se në këtë takim do të diskutohet për investimin 3.7 miliardësh të SHBA”së për ndërtimin e autostradave dhe hekurudhave për krijimin e lidhjeve në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Mihajlovic teksa ka folur për tanjug, ka thënë se bëhet fjalë për 4 rrugë në total prej 276 kilometrave për lidhjen e Kosovës dhe Serbisë.
Njëra autostradë është ajo Nish-Merdare-Prishtinë e gjatë 100 kilometra, tjetra Bujaonvc-Konçul-Gjilan- Shtërpc e gjatë 78 kilometra, pastaj një rrugë Rashkë-Jarinjë-Mitrovicë që është 61 kilometra dhe gjithashtu rregullimi i rrugës Ribar-Bërnjak-Zubin Potok prej 28 kilometrash.

Zëvendëskryeministrja e Serbisë ka thënë se për këto projekte do të jenë të nevojshme diku nga 2.18 deri në 2.73 miliardë.

Ajo gjithashtu ka thënë se në fokus të bisedave do të jetë edhe vazhdimi i financimit të autostradës Nish-Merdare-Pristhinë, për të cilën do të nevojiten 750 milionë euro, dhe gjithashtu për ndërtimin e hekurudhës në të njëjtin drejtim.

Politikanja serbe ka thënë se kur bëhet fjalë për hekurudha, është planifikuar një projekt Beograd-Nish prej 240 kilometrave që do të ndërtohet financimet e disa partnerëve kinez (CRBC) e që do të kushtojë afro 2.1 miliardë.

Gjithashtu ajo ka treguar edhe për një hekurudhë nga Doljevaci për në Kurshumli e që do të lidhet në Merdare me gjatësi prej 87 kilometrave që do të kushtojë 980 milionë euro.

Lideri i VV’së, Albin Kurti, ka thënë se nëse subjekti i tij kthehet në qeverisje, atëherë nuk do të respektojë Marrëveshjen e Uashingtonit të arritur në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator.

Kurti ka thënë se ajo marrëveshje është nënshkruar nga një kryeministër jolegjitim dhe ka thënë se ndërmjetësuesit nuk duhet që të shtyjnë përpara marrëveshje që ndërlikojnë marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe të Serbisë.

“Ne nuk kemi detyrime për zotimet e Kryeministrit të paligjshëm të Kosovës kur të kthehemi në detyrë. Nënshkrimi i tij poshtë teksteve jo koherente dhe j transparente është kundër vullnetit të popullit, rendit demokratik dhe shkel kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.”, ka shkruar Kurti në Twitter.

“Ato nuk do të ratifikohen në Parlamentin tonë”

“Ndërmjetësit duhet të përmbahen nga nxitja e marrëveshjeve që shkaktojnë përçarje të mëtejshme midis Kosovës dhe Serbisë. Vetëm dialogu parimor dhe i përgatitur mirë çon në marrëveshje të drejta dhe të qëndrueshme”, përfundon ai. /Express/

Në marrëveshjen ekonomike të nënshkruar nga Kosova dhe Serbia më datë 4 shtator në Uashington, Prishtina dhe Beogradi janë pajtuar që për Liqenin e Ujmanit të punohet me Qeverinë amerikane në një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të këtij rezervuari, si furnizues i ujit dhe energjisë.

Sipas Qeverisë së Kosovës, Liqeni i Ujmanit ka qenë pjesë e projektit në vitet e 70-ta dhe është ndërtuar me kredi nga Banka Botërore, për të cilën ka garantuar shteti i ish-Jugosllavisë, kurse obligimet dhe marrëveshjet i kanë nënshkruar njësitë federale, në këtë rast Kosova.

InfografikëShtrirja e Liqenit të Ujmanit

Shteti i Serbisë refuzon ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe si për çdo pasuri të Kosovës, edhe për Ujmanin, ka pretendime pronësore. Çështja e këtij liqeni bëhet edhe më problematike pasi shtrihet në veri të vendit, ku ndikimi i Beogradit është i madh.

Po pse është kaq i rëndësishëm ky liqen?

Liqeni i Ujmanit përdoret edhe për rekracion.
Liqeni i Ujmanit përdoret edhe për rekracion.

I shtrirë në veri të Kosovës, në kufi me Serbinë, Liqeni i Ujmanit, që njihet edhe si Liqeni i Gazivodës, është ujëmbledhësi më i rëndësishëm për ekonominë e Kosovës.

Ujmani ka sipërfaqe prej 11.9 kilometrash katrorë dhe kur është plotësisht i mbushur me ujë, ka rreth 370 milionë kub ujë.

Pamje nga Liqeni i Ujmanit.
Pamje nga Liqeni i Ujmanit.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, 9.2 kilometra katrorë janë në territorin e Kosovës dhe 2.7 në atë të Serbisë.

Penda e Ujmanit është e lartë 107 metra.

Pa ujin e Liqenit të Ujmanit, Kosova do të mbetej pa rrymë brenda pak orësh. Uji i tij përdoret për ftohje dhe destinacione tjera në termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”. Planet për rindërtimin e termocentralit tjetër të ri, të njohur si “Kosova e Re”, varen nga furnizimi me ujë nga ky liqen.

Me ujë nga ky liqen furnizohet edhe kompleksi metalurgjik “Ferronikeli” në Drenas.

I ndërtuar mes viteve 1979-1984, Liqeni i Ujmanit është rezervuari më i madh akumulues në Kosovë. Tre liqenet e tjerë janë: Liqeni i Batllavës në Komunën e Podujevës, i Badovcit afër Prishtinës dhe Liqeni i Radoniqit në Komunën e Gjakovës.

Rreth 35 për qind e banorëve të Prishtinës furnizohen nga ky rezervuar përmes fabrikës së re të ndërtuar për përpunimin e ujit në Shkabaj, pak kilometra larg qendrës së kryeqytetit.

Komunat tjera që furnizohen me ujë janë: Mitrovica, Vushtrria, Skenderaj, Gllogoci, Obiliqi dhe Fushë Kosova.

Liqeni i Ujmanit është rezervuari më i madh akumulues në Kosovë.
Liqeni i Ujmanit është rezervuari më i madh akumulues në Kosovë.

Kur ka thatësira, uji nga ky liqen përdoret për t’i mbushur dy rezervuarët tjerë afër Prishtinës, të Batllavës dhe Badovcit.

Në liqen ekziston edhe një hidrocentral me kapacitet të prodhimit të rrymës 35 MW (megavatë), dy blloqe me kapacitet nga 17.5 MW. Nëse ndërrohen blloqet e vjetërsuara, atëherë mund të prodhohet edhe më shumë energji elektrike.

Hidroelektrana në Ujman.
Hidroelektrana në Ujman.

Mbi 12 mijë hektarë tokë bujqësore mund të ujiten për momentin përmes kanalit Ibër-Lepenc. Për momentin ky kanal është pothuajse jashtë funksionit ose përdoret pak, mirëpo Qeveria e Kosovës ka bërë disa marrëveshje me institucionet e huaja financiare për meremetimin e këtij kanali.

Në kuadër të përgatitjeve për Samitin e Parisit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të premten do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mësohet nga burime ndërkombëtare.

Takimi i presidentëve, me ndërmjetësim të BE-së, do të mbahet në kuadër të konferencës GlobSec, që do të mbahet në Bratislavë të Sllovakisë.

Thaçi dhe Vuçiq do të flasin në konferencë për gjasat e arritjes së marrëveshjes përfundimtare, gjithëpërfshirëse, paqësore në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Më 1 korrik, në Paris pritet të mbahet takimi i thirrur nga presidenti Macron dhe kancelarja Merkel në mes të Kosovës dhe Serbisë. Këto ditë janë duke u zhvilluar edhe përgatitjet për Samitin e Parisit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se mundësitë për marrëveshje me shqiptarët e Kosovës janë “shumë më të vogla sesa kanë qenë” duke shtuar se Prishtina nuk do ta vazhdojë dialogun derisa të përfundojë mandati i administratës aktuale evropiane.

Zgjedhjet e reja për institucionet evropiane janë paraparë të mbahen në fund të muajit maj, transmeton REL.

Vuçiq përsëriti se Prishtina nuk do ta shfuqizojë së shpejti tarifën ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës, përderisa përgjegjëse për këtë situatë e bëri edhe BE-në, që sipas tij, posedon mekanizma që do t’i kushtonin shumë shtrenjtë Prishtinës por që nuk po i zbaton.

“Pa një marrëveshje me Beogradin, Prishtina nuk mund të bëjë asnjëherë asgjë”, tha presidenti serb.

Ai mohoi se ekziston një plan prej 17 pikësh për ndryshimin e kufijve me Kosovën. Presidenti serb tha gjithashtu se askush nuk e dëshiron një marrëveshje bazuar në modelin e dy Gjermanive.

“Shqiptarët më nuk duan të dëgjojnë për këtë, ata dyshojnë se Rusia do ta pranonte këtë në OKB, edhe nëse ne e pranojmë atë”, tha Vuçiç.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë ndërprerë për shkak të vendosjes së tarifës ndaj mallrave serbe nga ana e Qeverisë së Kosovës. Brukseli dhe Uashingtoni po bëjnë thirrje që palët të ndalin veprimet që dëmtojnë procesin negociator dhe të kthehen në tryezën e bisedimeve.

Njohësit e çështjeve politike në vend thonë se në procesin e dialogut, Kosova nuk duhet t’i merr parasysh vërejtjet e Serbisë.

Kosova duhet ta ketë platformën dhe strategjinë e saj, ani pse sipas tyre kjo platformë le për të dëshiruar.

Gjithashtu sipas tyre, situata aktuale tregon se dialogu do të jetë i vështirë pasi është i kushtëzuar nga të dy palët.

Përderisa Serbia është deklaruar kundër platformës së Kosovës për dialog, duke e cilësuar atë një platformë lufte, njohësit e çështjeve politike në vend porosisin që deklarimet e tilla mos të merren fare parasysh.

Profesori i shkencave politike në Universitetin e Parisit Nezir Kraki, tha për Radio Kosovën se vërejtjet e Serbisë për punë të brendshme të Kosovës nuk duhet të merren seriozisht:

“Çka mendon Serbia për platformën e dialogut, kjo nuk duhet t’i interesojë askujt në Prishtinë. Prishtina duhet të ketë platformë dialogu të qartë megjithëse unë mendoj se ajo platformë është si një hartim me shkrim i cili nuk i hyn në punë kontrektisht as Kosovës as dialogut. Kosova sot i ka tri vija përfaqësuese si në dialog si në raport me kancelaritë evropiane, kështu që është njëfarë mjegulle totale dhe këtë mjegull Serbia është duke e shfrytëzuar me strategji të qartë edhe me diplomaci intensive, për fatin tonë të keq”, tha ai.

Profesor Kraki thotë se Serbia ka aftësi ta bllokojë tërë procesin në Kosovë, ani pse vendosja e taksës si formë e presionit ndaj Serbisë, tashmë është kthyer si rrezik për shkak të mungesës së strategjisë:

“Serbia në këto 20 vite ka tregu se ka talent me sabotua me shantazhu Kosovën bashkë me BE-në, kështu që të vetmin veprim që Kosova e ndërmori si mjet shtrëngues ose presioni ndaj Serbisë dhe BE-së ishte taksa. Fatkeqësisht duke mos ditur liderët tanë si të dakordohen dhe si t’i qasen me strategji të qartë kësaj pune tash taksa na është kthyer si armiku i ri. Do të thotë rreziku i ndarjes apo shkëmbimit të territoreve ka rënë në nivel të dytë dhe tash kryerrezik shihet kjo taksë”, tha ai.

Edhe politikologu Ramush Tahiri tha se Serbia nuk e njeh shtetin e Kosovës , dhe sipas tyre platforma nuk është e nevojshme:

“Serbia është shtet dhe  e ka politikën e vet dhe politika e saj është që nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe deklarohet se nuk do ta pranoj shtetin e Kosovës. Në këtë bazë Beogradi zyrtar llogarit se nëse Kosova e ka një platformë dhe atëherë kjo platformë konsiderohet e papranueshme, sepse nëse realizohet platforma atëherë thotë se nuk ka nevojë që të bëhet dialog dhe s’ka nevojë për bisedime”, tha ai.

Sipas Tahirit, vërejtjet që i bënë Serbia tregojnë se dialogu do të jetë i vështirë edhe është i kushtëzuar nga të dy palët si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia.

Ne nuk jemi afër marrëveshjes me Prishtinën, pasi nuk negociojmë me të, tha sot presidenti serb Aleksandar Vuçiq pas takimit me këshilltarët e politikë së jashtme të kancelares gjermane Angela Merkel.

Vuçiq vuri në dukje se zyrtarët gjermanë e kishin informuar se kishin kërkuar nga Prishtina heqjen e taksave, por, siç tha ai, nuk pret që Prishtina ta bëjë këtë.

Aleksandar Vuçiq, në një intervistë me RTS, tha se me këshilltarët e kancelares gjermane Jan Hecker dhe Matthias Litenberg biseduan për marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës.

“Ne nuk jemi pranë marrëveshjes, pasi nuk po negociojnë gjermanët, por ne dhe negociata të tilla nuk ka,” tha Vuçiq.

Ai tha se me këshilltarët e Merkel ka biseduar për mënyrën se si të ruhet stabiliteti, paqja, si të shmangen eskalimet e mëtejshme.

I pyetur se përse Beogradi nuk miratoi një platformë për negociata me Prishtinën, Vuçiq u përgjigj se është e qartë për të gjithë.

“Nëse ju dëshironi të bisedoni me dikë, atëherë mos i ngulitni gjërat. Nëse i ngulitni, është e vështirë të nxirren gozhdët. Për të planifikuar një platformë të ngjashme me Prishtinën, atëherë ju e kuptoni se nuk mund të ketë marrëveshje”, tha Vuçiq.

Ai tha se pret në prill të ketë zhvendosje të re të dialogut nga ana e BE-së, në mënyrë që gjendja e tanishme të ndryshojë.

Shqipëria të vijojë reformat, opozita të miratojë Kodin Zgjedhor thotë për DW, ministri gjerman i shtetit, Michael Roth, pas takimit me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi.*)

Deutshe Welle: Shqipëria pret që në qershor (së bashku me Maqedoninë) të marrë dritën jeshile për fillimin e negociatave të anëtarësimit me BE-në. Sa realiste është kjo?

Michael Roth: Një gjë është e qartë: Çdo vend kandidat matet me arritjet e veta. Këshilli i BE-së vendosi në qershor 2018 se me çfarë do të maten përparimet e Shqipërisë. Këtu kanë rëndësi qendrore reformat në administratën publike, gjyqësor, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si edhe të drejtat e njeriut. Shqipëria duhet të vazhdojë të ndjekë reformat e saj, në mënyrë që shtetet anëtare të BE-së – të cilat duhet ta marrin këtë vendim njëzëri – të jenë të bindur se përparimi i saj është i mjaftueshëm për fillimin e negociatave të anëtarësimit. Qeverisë federale për një “po” i nevojitet drita jeshile nga Bundestagu.

Në verën e vitit të kaluar, në një intervistë me DW, jeni shprehur pozitivisht për procesin e vettingut. A jeni i kënaqur me ecurinë e deritanishme të tij?

Procesi i verifikimit të gjyqtarëve – i ashtuquajturi vetting – i cili ka filluar vitin e kaluar,  është duke ecur mirë. Deri më tani janë shqyrtuar ose janë tërhequr nga procesi paraprakisht gati 100 gjyqtarë dhe prokurorë. Rreth gjysmës së tyre iu desh të largohej nga gjyqësori kryesisht sepse nuk mund të shpjegonte me besueshmëri origjinën e pasurisë. Përveç kësaj, për plotësimin e vendeve vakante është ngritur një institucion i ri i pavarur dhe  Shkolla e Magjistraturës po e përmirëson cilësinë e kualifikimit të tyre. Megjithë vështirësitë e mëdha që ka, kjo reformë gjyqësore është shembullore.

Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit që publikon çdo vit Transparency International Shqipëria ishte keqësuar. A do të ndikojë negativisht ky fakt në vendimin e Këshillit të BE-së për fillimin e negociatave?

Këtë e shoh me shqetësim. Lufta kundër korrupsionit duhet të vijojë me vendosmëri dhe është një prioritet kyç për hapjen e negociatave me BE-në.

Gazetarët e rrjetit investigativ, BIRN, kanë publikuar së fundmi në bashkëpunim me “Zërin e Amerikës” protokolle përgjimesh ku flitet për blerje votash me ndihmën e krimit të organizuar, ndër të tjerash, në Durrës. A ndikojnë këto protokolle mbi imazhin e Shqipërisë në BE? Dhe nëse po, çfarë mund të bëjë Shqipëria deri në qershor për ta përmirësuar imazhin e dëmtuar?

Zbatimi i reformës zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE / ODIHR-it është i rëndësishëm për të forcuar sistemin zgjedhor e bashkë me të edhe demokracinë në Shqipëri.  Ne e kemi  mbështetur intensivisht përgatitjen e propozimeve konkrete për reformën zgjedhore – prandaj presim që kjo reformë të miratohet në Kuvend dhe të zbatohet me shpejtësi.  Këtu pritet që të luajë një rol të veçantë edhe opozita, e sidomos Partia Demokratike, pasi qeveria nuk e ka shumicën e mjaftueshme të votave për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Natyrisht, shkeljet e të drejtës së votës, të cilat qysh tani janë të dënueshme, duhet të ndiqen penalisht dhe të ndëshkohen. Zgjedhjet e lira, të barabarta dhe të fshehta janë themeli i çdo demokracie të vërtetë.

Opozita ka paralajmëruar për mesin e shkurtit protesta dhe po bën thirrjen për rrëzimin e qeverisë aktuale. Cili do të ishte apeli juaj për të dyja palët?

Sigurisht që dëshiroj që protestat e paralajmëruara të jenë paqësore dhe të mos kthehen në dhunë. Demonstratat paqësore janë legjitime dhe liria e tubimit është një shtyllë e rëndësishme e kulturës së politikës demokratike. Si student edhe unë kam marrë pjesë në demonstrata. Por vendi qendror i debatit politik midis qeverisë dhe opozitës është parlamenti shqiptar dhe jo rruga. Kjo është arsyeja pse i bëj thirrje opozitës: Shqipëria ende ka detyra të mëdha përpara, të cilat kërkojnë një bashkëpunim të të gjitha forcave politike.

Opinioni shqiptar aktualisht është disi i shqetësuar në lidhje me përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë. Ish-ministri i jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka qenë kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan. Kryeministri dhe de jure ministri i jashtëm i Shqipërisë, Edi Rama, i shmanget përgjigjes së kësaj pyetjeje në publik, por shumëkush mendon se ai është pajtuar tashmë me këtë plan. Si e shikoni ju ndihmesën e Shqipërisë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës?

Integriteti territorial i vendeve të Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm për ne. Përpjekja për zhvendosje kufijsh ka shkaktuar vuajtje të pafundme në të kaluarën. Prandaj, sipas meje, këto përsiatje, jo vetëm që nuk premtojnë shumë sukses, por janë edhe tejet të rrezikshme. Çfarë na nevojitet, është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila i rregullon përfundimisht marrëdhëniet, i mundëson Serbisë dhe Kosovës të anëtarësohen në BE dhe i zgjidh me marrëveshje të gjitha çështjet teknike që janë ende të hapura. Nga Shqipëria  ne presim që kjo ta përdorë në mënyrë konstruktive ndikimin e saj politik dhe të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive për stabilitet në të gjithë rajonin. Kjo vlen veçanërisht për çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mund të jetë vetëm në interes të Shqipërisë, si pjesë e rajonit, që të parandalojë me çdo kusht një destabilizim të ri të Ballkanit Perëndimor, gjë që detyrimisht do të vijonte nga ndryshimi i kufijve.

Gjermania është kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan, por SHBA dhe Komisioni i BE-së nuk janë kundër.  Aktualisht ekziston një shtytje e madhe nga ana e SHBA-së për të arritur një marrëveshje edhe para zgjedhjeve për Parlamentin e Evropës. Si do të ndikonte kjo marrëveshje në procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në BE?

Është e vërtetë se ka qëndrime të ndryshme në lidhje me ndryshimet kufitare. Qëndrimi ynë është se një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë duhet ta rrisë stabilitetin në të dyja vendet dhe në rajon. Unë nuk shoh se si mund të arrihet kjo me ndryshime kufijsh. Përkundrazi, Ballkani Perëndimor nuk do të binte në qetësi. Nga vendet fqinje dëgjoj vazhdimisht se ata janë të shqetësuar për këtë diskutim, sepse shohin rrezikun e efektit të dominosë. Për proceset e anëtarësimit në BE kjo me siguri që nuk do të ishte aspak e dobishme.

*) Kryetari i kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi (PS), dhe deputeti i partisë socialiste Taulant Balla, i cili është edhe kryetar i Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Gjermani, patën të martën (05.02.2019) një vizitë të shkurtër në Berlin, ku u takuan me kryetarin e Bundestagut, Wolfgang Schäuble (CDU) dhe ministrin parlamentar të shtetit pranë ministrisë gjermane për punë të jashtme, Michael Roth (SPD). /DW/