Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se “nuk është as koha dhe as vendi” për të folur rreth spekulimeve se ai mund të jetë kandidat për postin e kryeministrit, duke theksuar se një vendim i tillë fillimisht duhet të merret prej tij dhe më pas nga qytetarët në zgjedhje.
Ai tha se pas 14 vitesh në skenën politike është e natyrshme që qytetarët të dëshirojnë ndryshime, por jo ndryshime që, sipas tij, u imponohen nga të tjerët. Vuçiq theksoi se populli dëshiron stabilitet dhe siguri, e jo kaos.
“Sa i përket çështjes së kryeministrit, presidentit dhe gjithçkaje tjetër, as nuk është koha e as vendi. I lus Miloshin, Anën, Sinishën dhe të gjithë të tjerët të mos flasin për këtë, të mos spekulojnë dhe të mos kërkojnë asgjë. Së pari kjo duhet të jetë vendimi im – nëse ndihem i aftë dhe nëse e dua këtë. Më pas duhet të jetë vendimi i popullit. Populli dëshiron ndryshime, por jo ndryshime që i imponohen, por ato që garantojnë stabilitet dhe siguri”, deklaroi Vuçiç.
Presidenti i Serbisë shtoi se aktualisht është i ngarkuar me angazhime të shumta ndërkombëtare dhe sfida gjeopolitike, përfshirë bisedimet me liderë botërorë dhe zhvillimet globale, gjë që, sipas tij, nuk i lë shumë hapësirë për të menduar për tema të brendshme politike.
Vuçiq pranoi se ka bërë gabime gjatë qeverisjes së tij dhe se ka shumë vërejtje ndaj vetes, duke theksuar se disa rezultate sot merren si të mirëqena. Ai përmendi stabilitetin e kursit të dinarit si një arritje historike, si dhe rritjen e pagës mesatare në mbi 1.000 euro dhe pensionet më të larta ndonjëherë në Serbi, ndonëse pranoi se shumë qytetarë ende jetojnë me vështirësi.
Ai theksoi se ndryshimet që kërkon shoqëria nuk lidhen vetëm me ndërrimin e individëve, por me nevojën për reforma më të thella sistemore. Sipas tij, Serbia duhet të ndryshojë zakonet, arsimin dhe qasjen ndaj zhvillimeve globale, duke përfshirë inteligjencën artificiale dhe teknologjitë e reja, në mënyrë që vendi të ecë në hap me kohën.
Vuçiq përfundoi se shteti duhet të ofrojë ndryshime që u përgjigjen pritjeve reale të qytetarëve, duke ruajtur stabilitetin dhe sigurinë.