Kurti: Kërkesa e sotme e ZPS-së ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk mbështetet në ndonjë standard ndërkombëtar të dënimit

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte bartëse e një lufte të drejtë, ruajtëse dhe mbrojtëse.

Ai ka thënë se kërkesa e sotme e Prokurorisë në Gjykatën Speciale për dënimin me nga 45 vjet burgim të ish-krerëve të UÇK-së, nuk mbështetet në ndonjë standard të pranuar ndërkombëtar të dënimit.

“Ne nuk kemi pasur kurrë plan shfarosje të asnjë populli tjetër apo të civilëve. Kërkesa e sotme e Prokurorisë në Hagë për dënim prej 45 vitesh burgim për secilin nga drejtuesit e akuzuar të UÇK-së nuk mbështetet në ndonjë standard të pranuar ndërkombëtar të dënimit. Ajo injoron plotësisht kontekstin e luftës në Kosovë dhe përpiqet ta vendosë këtë çështje në një vakum juridik, duke shkëputur veprimet nga realiteti i një lufte çlirimtare”- ka shkruar ai.

“Ajo u zhvillua në rrethanat e okupimit të egër kur dhuna e apart’heidit po shndërrohej në gjenocid shtetëror.  Çdo përpjekje për t’i shkëputur veprimet individuale nga ky kontekst historik e politik rrezikon të deformojë të vërtetën dhe kuptimin e asaj lufte”- ka thënë Kurti.

Ndërsa ka thënë se Republika e Kosovës mbetet e palëkundur në bindjen se UÇK-ja bëri luftë të drejtë dhe kryengritje anti-kolonialiste.

“Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën faktike e historike, vlerën dhe dinjitetin e luftës për liri si dhe parimet themelore të drejtësisë, duke kundërshtuar çdo orvatje për shtrembërimin e tyre”- ka shkruar Kurti në Facebook.