Qytetarët e Bujanocit dhe Preshevës që përballen me vështirësi ekonomike mund të përfitojnë zbritje në faturat e energjisë elektrike, pas ndryshimeve të fundit në Urdhëresën për konsumatorët energjetikë të rrezikuar në Serbi.
Me këto ndryshime, lista e përfituesve është zgjeruar dhe për herë të parë përfshin edhe invalidët civilë të luftës si dhe përfituesit e pensionit familjar invalidor, me kusht që fatura e rrymës ose njehsori të jenë në emrin e tyre.
Në këtë kategori hyjnë tashmë edhe pensionistët me pension minimal, të cilët e realizojnë këtë të drejtë automatikisht, pa pasur nevojë për procedura shtesë.
Zbritje në faturat e rrymës, gazit natyror apo ngrohjes qendrore mund të përfitojnë edhe familjet nga Bujanoci dhe Presheva që marrin ndihmë sociale, ndihmë sociale të shtuar, shtesë për fëmijë, shtesë për ndihmë dhe kujdes të personave të tjerë, si dhe familjet me gjendje të rëndë ekonomike.
Për këto kategori parashihet një ulje mujore prej 1.000 dinarësh në faturën e energjisë elektrike.
Procedura është thjeshtuar: pensionistët përfitojnë automatikisht, ndërsa qytetarët e tjerë duhet të paraqesin kërkesë në komunën përkatëse të Bujanocit ose Preshevës.
Po ashtu, konsumatorët me këtë status nuk preken nga ndryshimet e zonave tarifore, përfitojnë zbritje pavarësisht sasisë së energjisë së shpenzuar dhe marrin edhe një zbritje shtesë prej 5 për qind nëse fatura paguhet me kohë, deri më 28 të muajit për muajin paraprak.
Statusi i konsumatorit energjetik të rrezikuar për energjinë elektrike vlen për një periudhë njëvjeçare dhe duhet të rinovohet./Spektri