Zvicra do të përballet me një mungesë të madhe në dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Mesfushori me përvojë Remo Freuler, partneri i zakonshëm i Granit Xhakës, ka pësuar një thyerje të klavikulës dhe do të mungojë në përballjet me Suedinë dhe Kosovën.
Freuler u lëndua fundjavën e kaluar gjatë ndeshjes së Serie A me Bolognan dhe tashmë ka konfirmuar se do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjike, që pritet ta mbajë jashtë fushave për disa javë.
33-vjeçari është një nga lojtarët më të qëndrueshëm të Zvicrës. Ai ka luajtur në të gjitha katër ndeshjet kualifikuese për Botërorin dhe është pjesë e pandashme e formacionit bazë që prej më shumë se shtatë vitesh.
Deri tani ka grumbulluar 84 paraqitje, duke shënuar 11 gola dhe dhënë 9 asistime me përfaqësuesen helvetike.
Televizioni publik zviceran SRF e cilësoi humbjen e tij si “një goditje të madhe” për trajnerin Murat Yakin: “Me mungesën e Freulerit, Zvicra humbet ‘Zotërinë e Besueshëm’ që çdo herë garanton stabilitet përkrah Granit Xhakës në qendër të mesfushës. Ai nuk ka munguar në një ndeshje zyrtare të Zvicrës që prej më shumë se katër vitesh”.