Tieri Henri ka zbuluar pesë rregullat e tij që do të revolucionarizonin futbollin, përfshirë pikë ekstra për golat. Legjenda e Arsenalit, i cili shënoi 417 gola në karrierë, përfshirë 228 golat rekord për “topçinjtë”, gjatë komentit të ndeshjeve të Champions-it në mesjavë për teleivizionin “CBS Sports”, tha për prezantuesen Kejt Abdo, e cila e kurorëzoi si mbretin e futbollit:
“Kur një skuadër refuzon të luajë, shpenzon kohë, godet topin jashtë, arbitri mund të japë një goditje dënimi si në regbi 25 metra larg porte dhe ti mund ta vendosësh topin ku të duash. Rregulli im është thjesht luaj futboll. Rregulli i dytë, për skuadrat që shënojnë tre gola në një ndeshje, duhet të fitojnë një pikë ekstra, pavarësisht rezultatit. Rregulli i tretë: Arbitrat duhet të dalin dhe flasin në konferenca për shtyp pas ndeshjes dhe, ju lutem, të vendosin edhe një mikrofon në fushë. Unë dua të dëgjoj atë që thonë, sepse ata ndonjëherë nuk janë aq të edukuar. Edhe unë nuk kam qenë ndonjëherë”.
Rregulli i katërt i Henrisë ka të bëjë me drejtorët sportivë apo ata që kryejnë transferimet t’i provojnë më parë ato: “Ti nuk shkon ta blesh një shtëpi pa e vizituar atë. Ti shkon në mëngjes, natën dhe dëgjon zhurmat. Unë kam parë lojtarë që kanë shkuar në vende pa e ditur nëse do të përshtateshin atje”. Dhe rregulli i tij i pestë ka të bëjë me prezantimin e zëvendësimeve të përkohshme të dëmtimeve për të parandaluar që skuadra të mos mbetej me 10 vetë në fushë kur dikush është duke marrë ndihmën e parë të mjekëve.