Aksion në Kamenicë për kapjen e shqiptarit të kërkuar nga Interpoli, ishte dënuar nga Gjermania për drogë





Jo rrallëherë shqiptarët e kërkuar nga shtete të ndryshme në Evropë ku kanë jetuar dhe dyshohet se kanë vepruar kundërligjshëm janë shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe shumë shpesh janë kapur edhe në Kosovë. Në raste të tilla, ata duhet të ekstradohen për ta vuajtur dënimin në shtetin ku janë shpallur fajtor, raporton Gazeta Sinjali.

Një aksion për kapjen e një personi të kërkuar nga Interpoli është zhvilluar edhe gjatë ditës së djeshme në Roganë të Kamenicës, ku Policia e Kosovës ka arritur të lokalizojë një person që po kërkohej në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga Gjermania.

I dyshuari R.A., i cili sipas informacioneve të para, ka jetuar në Bujanoc dhe nga atje, në mënyrë ilegale ka arritur të hyjë në Kosovë, por që u zbulua dhe pas një periudhe të shkurtër zyrtarët policorë kanë arritur ta kapin. Siç mëson Gazeta Sinjali, ai është dënuar me 7 vjet burgim për veprat penale që kanë të bëjnë me substanca narkotike.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se pasi Policia e ka gjetur të dyshuarin në fshatin Roganë,, i njëjti fillimisht ishte prezantuar rrejshëm, duke tentuar t’iu ikë prangave, por rezultoi se bëhet fjalë për personin që po kërkohej nga Gjermania. I njëjti është arrestuar dhe shoqëruar në stacionin policor në Gjilan, ku ndaj tij është lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh.

Brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit pritet të bëjë kërkesën e nevojshme për paraburgim, bazuar në procedurat e ekstradimit.

Ndryshe, sipas Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, “edhe para pranimit të kërkesës për ekstradim, personi i kërkuar mund të arrestohet dhe paraburgoset për një periudhë maksimale prej dyzet (40) ditësh, në qoftë se shteti kërkues dorëzon tek Ministria kërkesën për arrest të përkohshëm, në të cilën ceket se dokumentet e referuara në nenin 18 paragrafi 2 të këtij ligji ekzistojnë dhe se një kërkesë për ekstradim do të paraqitet në kohën e duhur”.