Ambasadori Amerikan: Zbatimi i marrëveshjes është kritik për zhbllokimin e së ardhmes së Kosovës





Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeff Hovenier ka thënë se zbatimi i marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë, është kritik për zhbllokimin e së ardhmes së Kosovës.

Përmes një statusi në Twitter, ai tha se “Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë me popullin e Kosovës për të realizuar një nga prioritetet tona kryesore”.

“Zbatimi i kësaj marrëveshjeje është kritik për zhbllokimin e së ardhmes së Kosovës. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë me popullin e Kosovës për të realizuar një nga prioritetet tona kryesore, të përbashkëta: sigurimin që Kosova të zë vendin e saj të merituar në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, ka shkruar Hovenier.

Ky reagim i ambasadorit, vjen pasi takimi i 18 marsit në Ohër, solli një tjetër pajtim mes Kosovës dhe Serbisë sa i përket procesit të dialogut.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u pajtuan që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur.