Apel për prindërit dhe shkollat: Kujdes me përdorimin e trotinetëve elektrikë nga fëmijët

Agjencia për Sigurinë e Trafikut në Serbi ka apeluar tek prindërit, shkollat dhe të gjithë pjesëmarrësit në sistemin arsimor që të tregojnë kujdes të shtuar për sigurinë e fëmijëve gjatë përdorimit të mjeteve të lehta elektrike, të njohura si trotinetë elektrikë.

Sipas Agjencisë, trotinetët elektrikë në vitet e fundit janë bërë gjithnjë e më të pranishëm në komunikacion dhe gjithnjë e më shpesh përdoren edhe nga fëmijët e moshës shkollore. Edhe pse ato paraqesin një mjet praktik transporti, përdorimi i tyre sjell edhe rreziqe të caktuara, veçanërisht në rastet kur nuk respektohen rregullat e trafikut dhe sjelljes së sigurt në rrugë.

Agjencia rikujton se Ligji për Sigurinë e Trafikut në Rrugë përcakton rregulla të qarta për pjesëmarrjen e mjeteve të lehta elektrike në komunikacion. Ndër të tjera, trotinetin elektrik në rrugë publike nuk mund ta drejtojë një person më i ri se 14 vjeç.

Gjithashtu, përdorimi i helmetës mbrojtëse të biçikletës është i detyrueshëm, ndërsa drejtuesit duhet të lëvizin në shtigjet për biçikleta, në korsitë e biçikletave ose në shtigjet e përbashkëta për këmbësorë dhe biçikleta, aty ku ato ekzistojnë.

Po ashtu, nuk lejohet transportimi i një personi tjetër në trotinet elektrik. Përveç këtyre, legjislacioni parashikon edhe rregulla dhe kufizime të tjera që lidhen me përdorimin e këtyre mjeteve në komunikacion.

Sipas të dhënave të Agjencisë, një pjesë e aksidenteve rrugore ku janë përfshirë trotinetët elektrikë lidhen pikërisht me pjesëmarrës më të rinj në komunikacion, çka tregon për rëndësinë e edukimit dhe mbikëqyrjes nga ana e të rriturve.

Prandaj, Agjencia u bën thirrje prindërve që të bisedojnë me fëmijët e tyre për rregullat e sigurisë në trafik, të kenë parasysh moshën e tyre dhe të sigurojnë përdorimin e pajisjeve mbrojtëse, veçanërisht helmetën.

Njëkohësisht, shkollat ftohen që në kuadër të aktiviteteve për sigurinë e nxënësve të informojnë nxënësit dhe prindërit për përdorimin e sigurt të trotinetëve elektrikë dhe për rëndësinë e respektimit të rregullave të komunikacionit.

Agjencia për Sigurinë e Trafikut ka përgatitur gjithashtu edhe një raport informues me titull “Mjetet e lehta elektrike”, i cili përmban informacione bazë mbi rregullat, kufizimet dhe rekomandimet për përdorimin e tyre të sigurt.

Siguria e fëmijëve në komunikacion mbetet përgjegjësi e përbashkët e familjes, shkollës dhe shoqërisë në tërësi. Vetëm përmes bashkëpunimit mund të kontribuohet që fëmijët të jenë më të sigurt në rrugë.