Ashpërsohet gjuha e urrejtjes para fushatës zgjedhore në Maqedoninë e Veriut

Partitë politike kanë ashpërsuar retorikën nxitëse gjatë prezantimit të kandidatëve të tyre për president të Maqedonisë së Veriut, por edhe në debate e statuse në rrjetet sociale, me besimin se në këtë mënyrë mund të përfitojnë vota në zgjedhjet që do të mbahen më 24 prill.

Madje, në disa raste nuk kanë munguar as fyerjet që konsiderohen raciste, në mes të zëvendëskryeministrit Artan Grubi nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe Izet Mexhitit nga opozita shqiptare dhe kryetar i Lidhjes Demokratike.

Grubi, në një postim në rrjetin social Facebook kishte etiketuar të gjithë zyrtarët e opozitës si “afrikan”, “rus”, “turkmenistan” e kështu me radhë, ndërsa Mexhiti i është përgjigjur duke e quajtur atë si “kazinomen”.

Retorika nxitëse është evidente edhe mes partive maqedonase, Lidhjes Social Demokrate (LSDM) dhe VMRO DPMNE-së, të cilat kanë akuzuar njëra-tjetrën për “politika ruse”, “qeverisje një etnike”, e akuza tjera.

Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi të martën ka shprehur shqetësimin lidhur me gjuhën e urrejtjes që po shfaqet nëpër tubimet partiake dhe qëndrimet e tyre në rrjetet sociale.

Drejtuesit e komisionit u kanë bërë thirrje partive politike, kandidatëve për president, bartësit të listave të partive politike për deputetë që të “përmbahen nga retorika nxitëse dhe gjuha e urrejtjes pasi vetëm në këtë mënyrë mund të kontribuojmë për zgjedhje të lira dhe demokratike”

“Ne i ndjekim rrjetet sociale dhe mediat tradicionale bazuar në kapacitetet tona dhe veprojmë ndaj çdo rasti apo individi që denoncon gjuhën e urrejtjes. Veprojmë pa marrë parasysh se do të përçojë gjuhë të urrejtjes dhe përdor fjalor shqetësues. Unë i bëj thirrje çdokujt që vëren fenomene të tilla, që t’i paraqesë para Komisionit për veprim të mëtejmë. Puna jonë është që të kërkojmë nga personat që publikisht të distancohen nga përdorimi i fjalorit të tillë, në të kundërtën, këtë ua përcjellim institucioneve të tjera”, ka deklaruar Igor Jadrovski, kryetar i Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi.