BE-ja fton serbët të votojnë dhe të regjistrohen

BE-ja ka rikujtuar se është kyç që zgjedhjet lokale në katër komuna të veriut të Kosovës të zhvillohen me pjesëmarrjen e serbëve pa parakushte. Zhvillimi i zgjedhjeve të reja për kryetarë komunash duhet të sigurojë qeverisje të plotë përfaqësuese në veri dhe të ndihmojë në de përshkallëzimin e situatës. Votimi për shkarkim është hap në këtë drejtim, thuhet në reagimin e BE-së

Bashkimi Evropian u është bashkuar thirrjeve që të gjithë qytetarët në Kosovë të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë që ka filluar, ndërsa serbët në katër komunat veriore që të dalin edhe në votimet e thirrura për shkarkimin e kryetarëve të komunave.

Lidhur me këtë edhe BE ka shprehur keqardhje për thirrjet që ka bërë Lista Serbe dhe përfaqësuesit tjerë të serbëve të Kosovës, për bojkotimin e votimit dhe të regjistrimit. Ndërsa Listën Serbe, BE-ja, e ka ftuar që të rishqyrtojë vendimin e saj për të mos marrë pjesë në votimet e thirrura për 21 prill.

Këto porosi i ka dërguar për media një zëdhënës i BE-së duke rikujtuar se pjesëmarrja e serbëve të pjesës veriore të Kosovës në institucionet e Kosovës është në interes të tyre dhe është e nevojshme për uljen e tensioneve në atë pjesë të Kosovës, që u shkaktuan pas largimit të serbëve nga to në nëntor të vitit 2022.

“BE-ja shpreh keqardhje për vendimin e Listës Serbe që të mos merr pjesë në votimet e planifikuara për 21 prill në katër komunat veriore. Kjo pason bojkotimin e zgjedhjeve lokale të prillit të vitit 2023”, thuhet në qëndrimin e Bashkimit Evropian dhe përsëritet se zgjedhjet e prillit 2023, “edhe pse ishin në përputhje me kornizën e Kosovës, nuk ofruan një zgjidhje politike, pasi bojkoti nga serbët rezultoi me pjesëmarrje shumë të ulët”.

“Ne marrim në dijeni shqetësimet të cilat janë shprehur nga serbët e Kosovës lidhur me procesin për zgjedhjet e reja. Megjithatë i bëjmë thirrje Listës Serbe të rishqyrtojë vendimin për të mos marrë pjesë”, thuhet në reagimin e BE-së. “Demokracia do të thotë edhe realizim i të drejtës për serbët e Kosovës që të shprehin qëndrimet e tyre në kutitë e votimeve. BE-ja rikujton se është kyç që zgjedhjet lokale zhvillohen në katër komuna të veriut të Kosovës me pjesëmarrjen e serbëve pa parakushte. Zhvillimi i zgjedhjeve të reja për kryetarë komunash duhet të sigurojë qeverisje të plotë përfaqësuese në veri dhe të ndihmojë në depërshkallëzimin e situatës. Votimi për shkarkim është hap në këtë drejtim”.

BE-ja ka shprehur keqardhje edhe për thirrjet për bojkotimin e regjistrimit të popullsisë nga ana e përfaqësuesve politik të serbëve të Kosovës. BE-ja i ka inkurajuar të gjithë në Kosovë që të marrin pjesë në këtë regjistrim, ndërsa Agjencinë e Statistikave të Kosovës që të intensifikojë fushatën e informimit në mënyrë që të gjithë banorët, përfshirë edhe ata të komuniteteve joshumicë, të informohen në mënyrë të mjaftueshme për këtë regjistrim. BE-ja e konsideron regjistrimin si të nevojshëm për shumë vendime për të adresuar nevojat e qytetarëve, nga niveli i qeverisë, bizneseve, shoqërisë civile në Kosovë e deri të bashkësia ndërkombëtare.