Çitaku dhe Lushaku i kundërpërgjigjen Muratit për vizat: Po merrni meritat e të tjerëve, Kosova sot është më e izoluar se kurrë

Deklarata e ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, i cili i atribuoi Qeverisë Kurti meritat për liberalizimin e vizave, ka shkaktuar reagime të ashpra nga ish-deputete të opozitës.

Vlora Çitaku e PDK-së dhe Jehona Lushaku-Sadriu e LDK-së e akuzuan ministrin se po përpiqet t’i mbajë meritat për një proces që, sipas tyre, është zhvilluar prej vitesh dhe pa kontribut të Vetëvendosjes.

Vlora Çitaku deklaroi se “kontributi i vetëm” i Vetëvendosjes në procesin e liberalizimit të vizave ka qenë gazi lotsjellës në Kuvend dhe vonesat shumëvjeçare.

Ajo ironizoi se me këtë qasje, VV “së shpejti do të thotë se ka shpallur edhe pavarësinë e Shqipërisë dhe ka çliruar Kosovën”.

“Dil në barnatore e i sheh qytetarët pa para as për barna. Tako ndonjë pensioner që kursen nga buka për energjinë. Kryeje punën tënde e pastaj krekosu,” i shkroi Çitaku Muratit.

Edhe ish-deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, reagoi ashpër, duke thënë se Murati po krenohet me punën e të tjerëve, ndërsa nuk ka çfarë të tregojë për qeverisjen e Vetëvendosjes.