Digjet vetura e serbit që konvertoi targat në RKS





Një automjet Volkswagen Bora ngjyrë hiri dhe me targa 02 – 626 – FL, pronë e N.C. (emër i njohur për redaksinë), është djegur mbrëmë rreth mesnatës në Leposaviq, ndërsa përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar në njerëz.

Burime të mediave bëjnë të ditur se ngjarja ndërlidhet me regjistrimin e automjetit në targa RKS që ka ndodhur gjatë ditës së djeshme dhe se automjeti është djegur qëllimshëm nga autorë deri tani të panjohur.

Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e veriut, Branisllav Radoviq.
“Në rrugën pranë çerdhes së vjetër në Leposaviq, është djegur automjeti VW ngjyrë hiri, pronë e C. N. (1991) me targa të Kosovës. Në vendin e ngjarjes janë ekipet e zjarrfikësve, policisë, si dhe inspektorët, ndërsa është informuar edhe prokurori i shtetit, i cili e ka karakterizuar incidentin si ‘zjarrvënie’. Hetimet janë në zhvillim”, ka thënë ai.

Ndryshe, një ditë më parë në Leposaviq ishte djegur automjeti i një rreshteri policor.