Dy shqiptarë nga diaspora vriten duke luftuar në Ukrainë

Dy ushtarë shqiptarë nga diaspora kanë humbur jetën duke luftuar në Ukrainë.

“Konsulli i Shqipërisë në Ukrainë, Omarov Shakhin, sapo më shkruajti për një lajm të hidhur. Ukraina, nga sot, ka edhe dy djem, nga rradhët e diasporës shqiptare të cilët kanë rënë në luftë. Ata ishin ushtarë në ushtrinë e Ukrainës, të cilët luftuan dhe dhanë jetën në krye të detyrës si heronj”, kështu ka njoftuar deputeti socialist, Pandeli Majko.

Dermentli Anatoly dhe Haydarzhy Danylo janë dy emrat e ushtarëve shqiptarë që humbën jetën në një mision luftimi.

Dermentli Anatoly lindi në fshatin shqiptar të Karakurtit, ndërsa Haydarzhy Danylo lindi në një familje shqiptare në fshatin Georgivka në Ukrainë.

Dermentli Anatoly u mobilizua në Brigadën e mekanizuar Nr. 118 në rajonin e Zaporozhias. Ai ka lindur më 3 shtator 1980 dhe dha jetën më 15 tetor 2023, duke shërbyer me nder në misionin e tij ushtarak.

Nga ana tjetër, Haydarzhy Danylo, sipas deputetit Majko ishte një patriot i zjarrtë i diasporës shqiptare në Ukrainë.

I lindur më 26 janar 2002, ai dha një kontribut të çmuar në luftën për liri.

Ai shërbeu në njësinë ushtarake A290 dhe gjeti tragjikisht vdekjen në zonën e luftimeve në fshatin Liman, pranë qytetit Kupiansk, në rajonin e Kharkivit.

Siç ka njoftuar deputeti Majko, në qytetin e Zaporozhias, u zhvillua një ceremoni funerale me respekt të madh për këta dy heronj shqiptarë.

Fotot e tyre tregojnë se ata nuk kanë harruar origjinën e tyre, ndërsa flamuri kombëtar shqiptar u vendos pranë flamurit të Ukrainës në një akt përjetësimi të tyre.