Ekskluzive: Ky është hajni i arrestuar në Gjilan që dyshohet për 10 raste të vjedhjeve, njihet si ‘Rizlla’

Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet, raste këto mjaft shqetësuese, që po shkaktojnë humbje e pasiguri te bizneset. Një ndër hajnat që po dyshohet për së paku 10 vjedhje në Gjilan, tashmë ka rënë në prangat e Policisë, raporton Gazeta Sinjali.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Gjilan, teksa Sinjali ka mësuar ekskluzivisht identitetin e tij.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se personi që po dyshohet për plot raste të vjedhjeve është Dardan Mehmeti, i njohur me nofkën ‘Rizlla‘ – i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
Sipas Policisë, arrestimi i tij është bërë pasi që janë gjetur prova të mjaftueshme “se i dyshuari ka qenë i përfshirë në së paku dhjetë (10) raste të ‘’Vjedhjeve’’ dhe ‘’Vjedhjeve të rënda’’ të ndodhura në qytetin e Gjilanit.”

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij do të ngritet kallëzim penal.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.