Ekspertët shëndetësorë në Britaninë e Madhe: Vaksina kundër lisë së dhenve duhet t’u jepet të gjithë fëmijëve

Një vaksinë për mbrojtje kundër lisë së dhenve duhet të bëhet një vaksinë rutinë e fëmijërisë në Mbretërinë e Bashkuar, kanë thënë këshilltarët e qeverisë, duke shtuar se kjo masë jo vetëm që do ta reduktojë numrin e fëmijëve që sëmuren nga virusi, por gjithashtu do ta zvogëlojë numrin e rasteve serioze që mund të bëhen fatale.

Aktualisht, vaksinimi, i njohur si vaksinimi i varicelës pas virusit varicella zoster që shkakton sëmundjen, është i disponueshëm në Shërbimin Komnbëtar të Shëndetësisë, NHS, vetëm për fëmijët dhe të rriturit që janë në kontakt të rregullt ose të ngushtë me njerëz që mund të sëmuren shumë nga një infeksion i dhenve ose kanë një sistem imunitar të dobësuar.

Këtu përfshihen punonjësit e kujdesit shëndetësor që nuk kanë pasur më parë linë e dhenve, si dhe kontaktet e ngushta të njerëzve në nevojë.

Megjithatë, sipas propozimit të ri nga Komiteti i Përbashkët për Vaksinimin dhe Imunizimin, JVCI, Mbretëria e Bashkuar do të bashkohet me një numër vendesh të tjera që tashmë ofrojnë vaksinimin ndaj varicelës si pjesë e programeve rutinë të imunizimit të fëmijërisë, duke përfshirë Gjermaninë, Kanadanë, Australinë dhe SHBA-në.

Ministria e Shëndetësisë do ta ketë vendimin përfundimtar për zbatimin e vaksinës.

Propozimi shënon një ndryshim në të menduarit: JCVI paralajmëroi më parë se një veprim i tillë mund të rezultojë në një rritje të rasteve të herpesit tek të rriturit, pasi do të reduktonte qarkullimin e virusit të dhenve në komunitet.

Herpes shfaqet tek njerëzit që kanë pasur më parë linë e dhenve kur virusi varicella zoster riaktivizohet në trup. Megjithatë, qarkullimi në komunitet i lisë së dhenve mund të ndihmojë për ta rritur imunitetin e tyre dhe për të parandaluar që kjo të ndodhë.

JCVI thotë se të dhënat nga SHBA sugjerojnë se vaksinimi i fëmijëve nuk do të rezultonte në një rritje të rasteve të herpesit tek të rriturit.

Sipas propozimit, të gjithë fëmijëve do t’u ofrohen dy doza të vaksinës – një në 12 muaj dhe një tjetër në 18 muaj – ndërsa rekomandimet përfshijnë gjithashtu dispozitën për një program të përkohshëm rikuperimi për fëmijët më të rritur.

Ky vendim duket se është nxitur, pjesërisht, nga ndikimi i pandemisë Covid-19, kur kufizimet sociale çuan në pakësimin e përzierjes dhe rrjedhimisht një grup më të madh fëmijësh që nuk kanë pasur ende linë e dhenve.

Hulumtimet sugjerojnë se futja e vaksinës kundër lisë së dhenve si pjesë e programit rutinë të imunizimit të fëmijërisë do të ketë mbështetje të gjerë: Një anketë e rreth 600 prindërve të publikuar në fillim të këtij viti nga studiues në Universitetin Keele dhe Kolegjin Universitar në Londër zbuloi se rreth tri të katërtat thanë se do ta mbështesnin një lëvizje e tillë, me 18% që thanë se nuk kanë gjasa të pranojnë një vaksinim të tillë për fëmijën e tyre dhe rreth 8% të pasigurt./The Guardian