Esocbar: Marrëveshja Kosovë-Serbi çështje javësh jo vitesh





I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se marrëveshja Kosovë-Serbi, është cështje javësh dhe jo vitesh.
Escobar ka theksuar se një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të ndodhë së shpejti.

Escobar, tha se një marrëveshje e tillë është çështje javësh dhe jo vitesh.

“Unë i kam dëgjuar kolegët e mi evropianë të flasin se kjo është çështje javësh dhe jo vitesh. Për një marrëveshje, për rrugën përpara. Prandaj, përtej kësaj u përket të dyja palëve dhe ndërmjetësuesit që të vendosin afate kohore, por duhet të jetë e shpejtë”, ka thënë ai në Kanal 10.

Escobar, tha se cfarëdo propozimi i bërë nga Bashkimi Evropian do të përkrahet edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Propozimi ynë është që ckado që këto shtete evropiane sugjerojnë nëpërmjet dialogut, duhet të merret seriozisht. Ne do ta mbështesim këtë. Ne mendojmë, se sikurse na është shpjeguar, ky propozim do të nënkuptonte angazhim dhe integrim më të afërt të Kosovës, dhe potencialisht Serbisë, në integrimet euro-atlantike”, ka thënë ai.

E rëndëishme për Kosovën, sipas tij është njohja nga pesë vendet mosnjohëse të BE-së, kurse njohja nga Serbia sipas tij do të ndodhë në një fazë më të vonshme.

“Mendoj se njohja do të ndodhë, do të duhet të ndodhë dikur në një fazë më vonë. Çështja është për kohën se kur do të ndodhë kjo njohje. Por, ajo që është më e rëndësishme për Kosovën është që të nisni një rrugë më të qëndrueshme drejt integrimit në strukturat euro-atlantike, duke përfshirë njohjen nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së. Kjo është më e rëndësishmja që mund të nxirrni se çkado tjetër në proces”, ka thënë ai.
Escobar, pohoi se ekziston një propozim nga BE për marrëveshjen përfundimtare dhe se ShBA e përkrah atë.