Fillon numërimi për së prapthi, BE jep detajet për takimet e 18 marsit në Ohër





Ka filluar numërimi së prapthi deri në ditën e takimit të radhës në rundin e ri të bisedimeve ndërmjet kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas njoftimit të zyrës së Bashkimit Evropian, përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, do të takojë ndaras palët.

Takimet e para do të zhvillohen duke filluar nga ora 10:00.

“Duke filluar nga ora 10:00, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak do të zhvillojnë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiq”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se Kurti është shprehur i gatshëm që në Ohër, nën ndërmjetësimin e BE-së, të nënshkruajë marrëveshjen, por Vuçiq ka deklaruar se nuk i shkon në mendje që ta nënshkruajë “kapitullimin e Serbisë”.

Dokumenti prej 11 nenesh – që është bërë publik nga Bashkimi Evropian – nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.

Megjithatë, në nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së që nga viti 2011. Por, të dyja shtetet kanë synime të ndryshme sa i përket një marrëveshjeje finale. Kosova insiston në njohje reciproke, ndërkaq Serbia kërkon zgjidhje kompromisi.