Gjendet e vdekur 2-vjeçarja e zhdukur dhjetë ditë më parë në Serbi

Ka përfunduar kërkimi për 2-vjeçaren, Danka Iliq, e zhdukur në Serbi, tash e 10 ditë.

Dy vjeçarja është gjetur e vdekur, ka njoftuar sot presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq bëri të ditur se policia ka arrestuar dy persona të dyshuar për vrasjen e 2-vjeçares, transmeton Spektri.
Hetimi për gjetjen e 2-vjeçares është shtrirë në të gjithë territorin e Serbisë. Për gjetjen e saj, për herë të parë në Serbi u aktivizua sistemi “Më gjeni”.

Një e dhënë e re u shfaq javën e kaluar kur një video e regjistruar në në Vjenë u publikua, ku shfaqej një vajzë që duket si dy vjeçarja. Policia e Vjenës më vonë ka njoftuar se është zbardhur identiteti i personave nga regjistrimet e bëra nga një shtetas serb dhe se me ta është vendosur kontakt.

“Në bazë të hetimeve dhe fakteve përcjellëse, qartë dhe pa asnjë dyshim mund të përjashtohet lidhja mes personave të paraqitur në fotot e publikuara dhe vajzës së zhdukur”, u tha në njoftim.

E MPB-ja e Serbisë ka njoftuar se është informuar nga policia austriake se në videon që është kontrolluar në kuadër të kërkimit për vajzën e zhdukur nuk ishte dy vjeçarja Danka Iliq.

Sipas mediave në Serbi, të arrestuar janë punëtorët e ndërmarrjes publike “Vodovod” S. J. (50) ndhe D. D. (50) nga fshati Zlot.

S.J. dyshohet se ka goditur me automjetin e tij zyrtar “Fiat Panda” vajzën dy vjeçare duke e lënë të vdekur.. Së bashku me kolegun e tij D.D. trupin e vajzës e kanë futur në bagazhin e automjetit dhe më pas kanë shkuar në një deponi ku e kanë hedhur trupin.