Gjithçka që u bisedua mes Bislimit dhe Petkoviqit në takimin e së hënës

Në Bruksel është mbajtur rundi i ri i dialogut mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Takimi nuk ka dhënë asnjë rezultat, megjithëse sipas pjesëmarrësve, janë diskutuar një sërë temash.

Ky rund bisedimesh kishte fokus zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksit të saj.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se në takimin e 15 majit u bisedua se si palët e shohin drejtimin në të cilin po shkon procesi i dialogut. Ai tha se në agjendë të bisedimeve ishte “gjithçka që ka të bëjë me zbatimin e Marrëveshjes” së Ohrit.

hotel-flower.com
Bislimi konfirmoi se gjatë vizitës së javës së kaluar, i dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak dërgoi në Prishtinë dhe Beograd disa dokumente që kanë të bëjnë me kompetencat e mekanizmit për zbatimin e marrëveshjes, me zbatimin e zbatimit e Deklaratës për të Zhdukurit, si dhe për qasjen e tij se si duhet të vazhdohet me zbatimin e pikës shtatë të marrëveshjes që ka të bëjë me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Në marrëveshjen që arritëm në Ohër thuhet qartë se asnjë nga nenet nuk mund të kushtëzojnë nenet tjera dhe se të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur. Po ashtu, thuhet se asnjëra palë nuk do të bllokojë zbatimin e ndonjë neni të caktuar. Ky është udhërrëfyesi për ne. Nuk besoj se ka gatishmëri nga BE-ja që t’i ikë një dokumentin që vetë e kanë sjellë dhe e kanë publikuar në ueb-faqen e tyre”, tha Bislimi në fund të takimit.

Deri më tani nuk ka paralajmërime se cilat do të jenë hapat e ardhshëm dhe kur do të takohen sërish Bislimi dhe Petkoviq.

Ndërkaq, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka konfirmuar se pala serbe ka insistuar në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por që, sipas tij, nuk është e lehtë të bisedohet me Prishtinën.

“Kur duhej të bisedonim për çështjet e rëndësishme, siç është zbatimi i mëtejmë i formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, çështja e të pagjeturve, gjegjësisht se çfarë dhe si të bëhet më tutje pas Deklaratës për Personat e Zhdukur, por edhe për çështje të tjera të rëndësishme, siç është liria e lëvizjes, për çështjet që kanë të bëjnë me vetë jetën e serbëve në Kosovë, dhunën institucionale të [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit, e cila ndodh ndaj serbëve çdo ditë, sulmet e Policisë së Kosovës, të shtënat mbi serbët… për këto, Bislimi nuk donte të jepte kurrfarë përgjigjesh konkrete. Gjatë gjithë kohës, me ndërhyrje të ndryshme përpiqej ta bënte të pakuptimtë rrjedhën e dialogut”, u tha Petkoviq gazetarëve.

Ndërkaq, pas takimit Lajçak shkroi në Tëitter se me palët ka diskutuar për rrugën përpara drejt zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve. Sipas tij, takimi i 15 majit, synoi që të “qartësonte çështjet e hapura”.

“Diskutimet do të vazhdojnë”, theksoi ai.

Para takimit trepalësh, Lajçak zhvilloi takime të ndara me Bislimin dhe Petkoviqin.

Ky ishte takimi i parë i kryenegociatorëve pas takimit në nivel të lartë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel. Në atë takim, liderët politikë u pajtuan për deklaratën e përbashkët për të zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë dhe aty u prezantua nga Ekipi Menaxhues drafti i parë i statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

I dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak, në prag të takimit në Bruksel, kishte shkruar në rrjetet sociale se është i nevojshëm një fokus i plotë në normalizimin e raporteve dhe në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit.

Kosova dhe Serbia më 27 shkurt në Bruksel arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, ndërkaq më 18 mars në Ohër u pajtuan për Aneksin e zbatimit të saj.

Lajçak takimin e së hënës e përgatiti përmes vizitave javën e kaluar në Kosovë dhe Serbi.

Duke folur për takimet në Prishtinë dhe Beograd, përfshirë edhe me kryeministrin kosovar Kurti, dhe presidentin serb Vuçiq, Lajçak tha se liderëve u ka përcjellë pritshmërinë për përqendrimin në normalizimin e raporteve dhe për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

“Nënvizova po ashtu rëndësinë që të evitohet çfarëdo lëvizje e pakoordinuar që mund të dëmtojë procesin”, ka shkruar Lajçak. Ndërkaq, duke iu referuar vizitës që zhvilloi në veri të Kosovës, ku ka biseduar për situatën aktuale, ai ka tërhequr vërejtjen se “ajo që kam dëgjuar, më ka shqetësuar”.

“Prandaj ritheksova nevojën për të shmangur çdo mundësi përshkallëzimi dhe përqendrim të plotë në normalizimin”, shkroi ai.

Zyrtari i lartë evropian po ashtu është shprehur se pret nga Bislimi dhe Petkoviqi që të jenë të gatshëm të pajtohen për hapa konkretë në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

BE-ja pret që pas takimit të së hënës të ketë edhe takime të grupeve punuese dhe të ekspertëve, por edhe të komisionit të përbashkët për monitorimin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Palët tashmë kanë shprehur qëndrime të ndryshme rreth prioriteteve sa i përket zbatimit të pikave të Marrëveshjes drejt normalizimit dhe Aneksit të saj.

Ekzekutivi kosovar insiston se duhet të zbatohen të gjitha pikat e marrëveshjes, por Beogradi këmbëngul që fillimisht të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Edhe BE-ja, sipas një zyrtari të lartë, është e mendimit që themelimi i Asociacionit është çështja kryesore që do të vendosë edhe fatin e tërë procesit dhe kjo çështje konsiderohet si prioriteti kryesor, edhe pse sipas Aneksit të marrëveshjes, të gjitha pikat formalisht duhet të kenë rëndësinë e njëjtë.

Drafti i parë i statutit për themelimin e Asociacionit, që u prezantua në Bruksel më 2 maj, u refuzua menjëherë nga Qeveria e Kosovës dhe ky refuzim ishte i pritshëm për BE-në.

Kryeministri Kurti kishte prezantuar një vizion të tij për vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë, për të cilin tha se ishte frymëzuar nga marrëveshja e Kroacisë me Serbinë.

Qeveria e Kosovës ka shkarkuar Ekipin Menaxhues që ka hartuar statutin për Asociacionin, me arsyetimin se ky ekip ka përfunduar mandatin me prezantimin e draftit. Por, ky veprim i ekzekutivit kosovar në BE është konsideruar se është në kundërshtim me marrëveshjen e dialogut. Blloku evropian ka shprehur qëndrimin se ky ekip – i përbërë nga katër anëtarë serbë – duhet të jetë funksional deri në miratimin e statutit të Asociacionit.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshjes për Asociacionin, më 2013 dhe 2015. Por, Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit, sipas Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nuk është në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit. Megjithatë, Kushtetuesja ka thënë se ajo mund të harmonizohet me akte ligjore. /REL/